Reagojnë lojtarët shqiptar: Kataneci “dibiduz”

Futbollistët shqiptarë janë tejmase të dëshpëruar nga deklarata e seleksionuesit të reprezentacionit të Maqedonisë, Srecko Katanec dhënë gazetës “Lajm”, ku ndër të tjera thuhet se lojtarët shqiptarë të Maqedonisë nuk posedojnë kualitet të duhur për tu ftuar në përfaqësuese. Më i zëshmi ka qenë mesfushori i Rabotnickit Nderim Nexhipi, i cili ka pohuar se prej nga seleksionuesi Srecko Katanec e ka atë përshtypje, kur ndeshjet e kampionatit të Maqedonisë i ndjek një herë në vit. “Kataneci vjen një herë në vit për të përcjell ndonjë ndeshje të Ligës së Parë. Prej nga do ta dijë se jam në formë ose jo. Sezonin e kaluar vetë e kam mposhtur Debrecinin e Hungarisë dhe nuk më ftoi. Si është mundur që Rabotnicki tri vjet të luajë në Evropë dhe mos të ketë asnjë reprezentues. Për mua të gjithë thonë se e meritoj të luaj. Kataneci i din punët e tija dhe mund të vendos se kush mund të jetë në reprezentacion dhe kush jo. Ndërsa sa i përket Koresë, Kataneci paska informacione të gabueshme. Unë nuk kam qenë në prova në Kore. Kemi qenë bashkë me Maznovin, kurse kushtet kanë qenë arsyet për mosnënshkrimin e kontratës. Më paska kritikuar se nuk po shënoj nga 3-4 gola. Po e pyes Katanecin se përvec Pandevit a ka shënuar dikush nga reprezentuesit ndonjë gol?”, shprehet i mllefosur Nexhipi. Ndërsa futbollisti tjetër i Rabotnickit Ertan Demiri thotë: “Nëse ne nuk kemi kualitet, atëherë edhe Kataneci nuk ka cilësi për trajner. Përvec Katanecit më ka dëshpëruar edhe Stanojkoviqi. Deri sa isha në Vardar më thoshte se e meritojmë të luajmë, ndërsa tani ka ndërruar shumë. Nuk jam duke ua vërë veshin këtyre fjalëve, me rëndësi është që klubi ku unë luaj të jetë i kënaqur me lojën time”, ka deklaruar Demiri. Deklarata e Katanecit e ka revoltuar edhe mesfushorin e Renovës Agron Memedi, për të cilin trajneri Vllatko Kostov disa herë ka thënë se vendin e ka në përbërjen e Maqedonisë. “Nëse për Saviqin paska vend, atëherë pse mos të ketë vend edhe për lojtarë shqiptarë. Saviqi dje ia ka nisur të luaj futboll dhe menjëherë është ftuar. Nuk është fjala për kualitet. Shikojeni kë e ka ftuar. Nuk është punë kualiteti, por dicka tjetër. Ky është futbolli dhe ne nuk mund ta bëjmë më të mirë. Kur dëshiron të marrish ndonjë lojtar lehtë gjen arsye dhe e kundërta. Ndoshta mund të jetë i përzier edhe Stanojkoviqi. Kush e di”, ka theksuar futbollisti i Renovës Memedi. Ndryshe prej ardhjes së Katanecit në reprezentacionin e Maqedonisë nga lojtarët shqiptarë është ftuar vetëm një futbollist, edhe atë Artim Pollozhani.
Reshat Ibrahimi-Shkup