Shqipëria, edhe nje kat më lart në FIFA

Duket se "statistikat" e përmuajshme të FIFA-s e kanë marrë me sy të mirë Shqipërinë. Kombëtarja kuqezi, që sot luan ndeshjen miqësore me Maltën, vetëm ngjitet në arenën botërore të futbollit ku listohen 207 federata futbolli, anëtare të FIFA-s.
Përfaqësuesja jonë në renditjen botërore të FIFA-s për muajin gusht (të publikuar dje) është ngjitur edhe me një vend dhe tani ndodhet në vendin e 66-të. Shqipëria ka marrë një bonus prej 8 pikësh prej ekspertëve të statistikave të FIFA-s dhe tashmë edhe në muajin korrik 2007 ndodhemi në kuotën e 462 pikëve.
Jo pak për një ekip modest si ky i yni, por që gjithsesi ia vlen të evidentohet në mesin e artë europian, kur ndodhemi në zonën UEFA në vendin e 30-të nga 53 federatat e anëtarësuara në qeverinë europiane të futbollit. "Objektivi im është ta coj Shqipërinë në vendin e 60-të në fund të këtyre eliminatoreve dhe të synojmë që në Botërorin e vitit 2010 të zëmë vendin e dytë në grup", - tha Baric në Durrës, gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes me Maltës, në "Qemal Stafa". Një objektiv që është në rrugën e realizimit. Renditja më e mirë e Shqipërisë në epokën Baric me sistemin e ri të llogaritjes është ajo e muajit gusht 2006, kur ndodheshim në vendin e 62. Në janar Shqipëria ndodhej në vendin e 86-të dhe vendi i 66-të do të thotë se brenda tetë muajve kemi "ngjitur" 20 vende në garën e madhe botërore. Shqipëria ndodhet menjëherë pas Hungarisë që ka vetëm dy pikë më shumë se ne (vendi 65, 464 pikë). Pas vendit tonë në renditjen botërore ndodhet Maqedonia me 448 pikë (vendi i 68).
Holanda, kreu i Grupit G
Nga ekipet e tjera në grupin tonë (G) eliminator për Euro 2008, Holanda zbriti një vend dhe tani ndodhet në të shtatin (1211 pikë). Rumania mbeti në vend numëror një vend dhe tani ndodhet në vendin e 13-të (1090 pikë). Bullgaria, që renditet e dyta në Grupin G, është ngjitur një pozicione dhe tani ndodhet në vendin e 29 (856 pikë). Bjellorusia është ngjitur dy vende dhe tani ndodhet në vendin e 69-të (438 pikë). Sllovenia është rrëzuar me gjashtë vende dhe ndodhet në të 94-in (357). Luksemburgu nuk ka lëvizur nga vendi i 174-t me 44 pikë.
Renditja FIFA
7 Holanda, 1211 pikë
13 Rumania, 190 pikë
29 Bullgaria, 856 pikë
66 Shqipëria, 462 pikë
69 Bjellorusia, 438 pikë
94 Sllovenia, 357 pikë
174 Luksemburgu, 44 pikë
Renditja UEFA
5 Holanda, 1211 pikë
10 Rumania, 190 pikë
21 Bullgaria, 856 pikë
30 Shqipëria, 462 pikë
32 Bjellorusia, 438 pikë
39 Sllovenia, 357 pikë
50 Luksemburgu, 44 pikë
Renditjet e Shqiperise gjate vitit 2007
* Gusht, vendi 66
* Korrik, vendi 67
* Qershor, vendi 69
* Maj, vendi i 78
* Prill, vendi 77
* Mars, vendi 88
* Shkurt, vendi 87
* Janar, vendi 86