Reagojnë prokurorët: Akuzat janë të stisura, qeveria po na sulmon qëllimisht

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë
Një ditë pas publikimit të raportit të Ministrisë së Drejtësisë që akuzonte 59 prokurorë për shkelje të ligjit, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Duke hedhur poshtë konkluzionet e dikasterit të Drejtësisë theksohet se ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe ti demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore.
Shoqata shprehet se konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk i përgjigjen realitetit dhe janë jo objektive.
Gjithashtu shoqata e prokurorëve akuzon ministrinë e Drejtësisë se në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv. /F.Stafa/
* * *
Qeveria do kokën e 59 prokurorëve, Ina Rama nuk i dorëzon

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama / Foto LSA
Luis Tanushi
Thellohet përplasja institucionale ndërmjet qeverisë dhe Prokurorisë. Në raportin vjetor të dërguar në Kuvend, Ministria e Drejtësisë akuzon prokurorinë se ka shkelur ligjin duke cenuar rëndë të drejtat e njeriut. Në raportin e dërguar në Kuvend, kritikohet organi i akuzës për pengim të qëllimshëm të inspektimeve. Sipas raportit, një prej kontrolleve nga Ministria e Drejtësisë është penguar të ushtrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ky kontroll, sipas Ministrisë, është penguar megjithëse i plotësonte kushtet ligjore të paralajmërimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të prokurorisë dhe objekti i tij lidhej me një procedim penal me hetime paraprake të përfunduara me vendim të dërgimit të çështjes në gjyq. Prokuroria akuzohet prej Ministrisë së Drejtësisë se ka shkelur të drejtat e njeriut pasi prokurorët në shumë raste nuk respektojnë afatet e hetimit dhe dorëzimit të çështjeve në gjykatë. Në shumë raste, MD thekson se prokurorët japin dënime arbitrare dhe nuk kundërshtojnë pothuajse kurrë vendimet e gjykatave.
Nga 653 procedimet penale, që iu nënshtruan kontrollit, 59 prokurorë të shkallës së parë kanë shkelur ligjin, ndërsa në apel të parregullta rezultojnë 29 procedime. “Hetimet paraprake janë zgjatur përtej afateve ligjore të parashikuara në kodin e Procedurës Penale. Shkeljet e afatit hetimor dhe zvarritja e hetimeve deformojnë në praktikë procesin e rregullt ligjor. Në 29 raste është konstatuar shkelje e detyrimit ligjor për ndjekjen e një politike të drejte penale dhe në veçanti e politikës së dënimit. Në 26 raste është konstatuar shkelje e detyrimit ligjor për kryerjen e veprimeve të vijueshme e të rregullta hetimore dhe në 16 raste është konstatuar shkelje e të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal.
Në 11 raste është konstatuar shkelje e detyrimit kushtetues dhe ligjor për fillimin e ndjekjes penale dhe në 11 raste të tjera shkelje e afateve hetimore dhe zvarritje e hetimeve paraprake, theksohet në raportin që ministria e Drejtësisë i ka përcjellë Kuvendit për punën e prokurorisë. Në 16 çështje, sipas raportit , janë shkelur të drejtat e njeriut. Organi i drejtuar nga kryeprokurorja Ina Rama akuzohet për vonesa të qëllimshme të dërgimit të çështjeve në gjykata. Vonesat, sipas ministrisë së Drejtësisë, përdoren nga organi i akuzës për të harruar në publik ngjarjen e ndodhur.
Në raport thuhet se i është kërkuar kryeprokurores, Ina Rama,fillimi i procedimit disiplinor për 15 prokurorë që ushtrojnë detyrën e tyre tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndër prokurorët që janë zënë me shkelje sipas raportit të inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë janë:Ylli Bedalli, Elizabeta Imeraj, Ardian Nezha, Erviola Stoja, Ervin Kondili, Xhevat Hana, Bardhok Lleshi etj.
Prokuroria kundërshton raportin e Ministrisë
Organi i akuzës ka hedhur poshtë rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë për akuzat ndaj punonjësve të saj. Sipas raportit, në 10 kontrollet e tjera, ku prokurorët janë konstatuar me shkelje të ligjit, brenda afatit të parashkrimit, Ministri i Drejtësisë ka rekomanduar fillimin e procedimit disiplinor. Por, deri në datën 29.2.2012, Prokurori i Përgjithshëm ka reaguar vetëm për një rast duke mos e pranuar rekomandimin e Ministrit të Drejtësisë, duke pretenduar se kontrolli i ushtruar ishte në kapërcim të kompetencave dhe shkeljet e konstatuara nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit disiplinor. Ky reagim i është njoftuar zyrtarisht Presidentit të Republikës. Në 9 kontrollet e tjera, të rekomanduara për procedime disiplinore, deri në datën 29.2.2012 Prokurori i Përgjithshëm nuk ka reaguar.
Në 29 raste është konstatuar shkelje e detyrimit ligjor për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti e politikës së dënimit;
Në 26 raste është konstatuar shkelje e detyrimit ligjor për kryerjen e veprimeve të vijueshme e të rregullta hetimore;
Në 16 raste është konstatuar shkelje e të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal;
Në 11 raste është konstatuar shkelje e detyrimit kushtetues dhe ligjor për fillimin e ndjekjes penale;
Në 11 raste është konstatuar shkelje e afateve hetimore dhe zvarritje e hetimeve paraprake.
Qeveria, aktakuzë prokurores: Nuk heton korrupsionin
Ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë se ka pushuar çështjet që lidhen e korrupsionin e zyrtarëve shtetërorë. Edhe pse është një nga kritikat më të forta të gjithë organizmave ndërkombëtarë, lufta ndaj korrupsionit vijon që të mbetet tepër e dobët. Për veprat penale të korrupsionit nga 103 çështje të hetuara vetëm 17 prej tyre janë dërguar për gjykim. Akuzat e forta ndaj prokurores Ina Rama kanë ardhur gjithnjë duke un shtuar nga mazhoranca sidomos pas ngjarjes së 21 janarit ku kryeprokurorja u vu në qendër të sulmeve të mazhorancës.
Në Tetor, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama përfundon detyrën e saj, ndërkohë që mahzoranca në të hapur mundësinë e një hetimi dhe ndaj veprimtarisë që ajo ka ushtruar gjatë mandatit . Në jo pak raste, ka qenë kryeministri Berisha që e ka cilësuar Prokuroren e Përgjithshme si të kapur nga korrupsioni dhe nga klani Rama. Raporti i firmosur nga Ministri Halimi, thekson se vetëm për vitin që sapo lamë pas janë 44 vepra penale për të cilat organi i akuzës ka pushuar çështjet, ndërkohë që ka pezulluar një rast për korrupsion. Në veprat penale të korrupsionit, janë përfshirë vepra që lidhen me korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë. Pjesa tjetër e veprave të pushuara sipas M