Reagojnë prokurorët: Sulmet e qeverisë, të papranueshme. Nuk na bën dot presion
Shoqata e prokurorëve ka reaguar pas sulmeve të ndërmarra nga ana e qeverisë në drejtim të tyre dhe veçanërisht ndaj kryeprokurores Ina Rama. Me anë të një letra, ata i kanë cilësuar këto sulme si të papranueshme dhe në shkelje me ligjin. Sipas tyre, shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtesise nuk qëndrojnë.
Ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe ti demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore. Për vitin 2011 organi i prokurorisë, në rang republike ka përfunduar 27.472 çështje. Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll vetëm për 653 procedime penale dhe mosfillime të cilat zenë rreth 2,4% të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përfunduara. Nga 653 çështje të kontrolluara, Ministria e Drejtësisë, ka pretenduar se janë kryer shkelje në 77 çështje penale, ose në rreth 12% të çështjeve të kontrolluara, argumentojnë prokurorët.
Ministria e Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar nga ligji Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv, vijon më tej deklarata e tyre.
Në fund të reagimit, shoqata e prokurorëve ka kërkuar nga ana e prokurorëve që të qendrojnë dhe mos të bien pre e presioneve të qeverisë.