Rama nis puçin në PS, shkarkon kundërshtarët me dhunë enveriste
Rikthehet diktatura partiake në PS. Ish-kryetari i PS ka nisur përdorimin e plenumeve dhe të mbledhjeve ku zbuloheshin grupet armiqësore, kundër atyre degëve që po kërkojnë zbatimin e statutin dhe largimin e Edvinit nga selia. Dje në Lushnje një këshilltar i Ramës mblodhi një asamble të paligjshme dhe shkarkoi kryetarin që kishte kërkuar largimin e tij, ndërkohë që edhe në Shkodër është ushtruar dhunë që kundërshtarët e Edvinit të tërhiqnin kritikat që kishin thënë publikisht.
Partia Socialiste ka rikthyer diktaturën dhe tezat revolucionare staliniste në Shqipëri, nëpërmjet dhunës dhe eliminimit të zërave kundër dhe kritikë brenda vetes. Edi Rama, i ndodhur në pozitat e politikanit të vendosur në karantinë, para shporrjes finale nga politika, që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, filloi aktivizimin e tezave të vjetëruara komuniste, për të shuar zërat kundër tij në PS, nëpërmjet kërcënimeve të egra, dhunës verbale madje duke paralajmëruar edhe dhunë fizike, ndaj kujtdo, edhe socialistit më të thjeshtë, që do të kërkojë dorëheqjen e tij. I mjegullt në çdo qëndrim të tij, i verbër para medieve me disa pseudodeklarata, me të cilat përpiqet të fshehë dështimin e rëndë në këto zgjedhje, Edi Rama ndodhet pranë një kolapsi total, pranë një kostoje politike, pranë asgjësimit përfundimtar nga skena politike dhe, për ta shmangur me çdo kusht këtë, i shkoi në mendje të implementojë ato që i ka mësuar ati i tij shpirtëror, diktatori më i egër i të gjitha kohërave, Enver Hoxha, duke cenuar çdo standard të demokracisë.
Kësisoj, në Partinë Socialiste nuk mundet kush më që të shprehë qëndrim kritik apo të kërkojë dorëheqjen e kryetarit. Ai i është drejtuar edhe përvojës së dikaturës puniste, teksa ka imituar plenumet dhe mbledhjet antiparti, me të ashtuquajturën Asamble e Lushnjes.
Kështu ndodhi dje në degën e Partisë Socialiste Lushnje, ku kreu i saj Leonard Gogum, është shkarkuar nga Asambleja e jashtëzakonshme e thirrur nga Ergys Hoxha, një njeri i afërt i Edvinit, këshilltar i tij personal në bashkinë e kryeqytetit.
Pas qëndrimeve të shprehura kundër Edvinit, duke e akuzuar atë si shkaktarin kryesor të humbjes së PS në zgjedhje dhe se duhet të japë dorëheqjen e njëherësh të mos rikandidojë më, Leonard Gogut iu komunikua dje shkarkimi nga drejtimi i PS-së së Lushnjes. Krejt në shkelje statutore, por me një strategji të mirëmenduar për të shkatërruar që në pelena çfarëdolloj disidence, që duket se tashmë do t’i marrë udhë nga qendra (kujtojmë reagimet e Blushit, Malajt, Pëllumbit, Haxhiymerit...).
Gjithashtu edhe Partia Socialiste e Shkodrës është detyruar të dalë publikisht me dy qëndrime të paqarta dhe nën përjetimin e dhunës verbale, lidhur me dorëheqjen e Edi Ramës, nga posti i kreut të Partisë Socialiste. Dy ditë më parë, kreu i PS-së Shkodër, u shpreh se Edi Rama duhet të japë llogari para socialistëve dhe të japë dorëheqjen pa kushte, pasi është përgjegjësi kryesor, për humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Pas kësaj deklarate të kryetarit të degës së PS së qytetit verior, dje u mblodh Asambleja drejtuese për të diskutuar lidhur me situatën e fundit në partinë opozitare dhe për zërat ‘pro’ dhe ‘kundër’ qëndrimit të Edi Ramës në postin e kryetarit të partisë. Por, atëherë kur dukej se anëtarët socialistë do të kishin mundësi të shprehnin kritikat e tyre ndaj fushatës elektorale të PS dhe drejtimin e PS nga Edi Rama, i cili ka mohuar zërin demokratik në këtë parti, dhunohet asambleja nga njerëz të afërt të Edvinit si Ilir Beqja e ndonjë tjetër, të cilët përdorën kërcënime nga më të ndryshmet, psikologjike dhe fizike ndaj përfaqësuesve të asamblesë. E ndodhur përballë kësaj dhune psikologjike, Asambleja Socialiste detyrohet të kërkojë qëndrimin e Edi Ramës në krye të PS dhe të bëjë thirrje për shuarjen e zërave “kundër”, ashtu siç ndodhte në monizëm, se “ashtu e kërkon kryetari”!
Kësisoj, Edvin Rama, i cili erdhi në krye të PS, gjoja sikur përfaqësonte një rrymë të re demokratike dhe se liria e shprehjes është e garantuar në Partinë Socialiste, tashmë ai po faktohet si një diktator i kohëve moderne. Ai po eliminon zërat kritikë, zërat kundër tij, nëpërmjet dhunës dhe kryqëzimit të atyre që kritikojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e diktatorit të ri, Edi Rama. Është një garë kundër kohës në fakt, se cila do të ketë efektivitet më të madh, grushti i shtetit që po ushtron Edvini në strukturat e PS-së, apo karantina politike e opinionit publik dhe statuti i partisë, që e shpallin Ramën de jure si një ish-kryetar partie...
...