Reagon PD: Rama perdhos sheshin Demokracia, duke mbledhur aty pinjollet e nomenklatures komuniste, Rucin dhe Gjinushin

Partia Socialiste hapi dje zyrtarisht fushatën elektorale në Qytetin Studenti, duke ngjitur mbi tribunë ish ministrat e diktaturës së egër komuniste, ish ministrat që skuqën me gjakun e engjëjve të demokracisë, studentët shqiptarë, nëpër rrugët e Tiranës dhe të Shkodrës, të cilët demonstronin për liritë dhe të drejtat themelore. Edi Rama prezantoi dje në Qytetin Studenti, aty ku lindi demokracia, aty ku u tronditën kthetrat e egra të regjimit diktatorial, ish ministrat e Enverit dhe Ramizit, si përfaqësues të politikës së re që pretendojnë të drejtojnë Shqipërinë. Lidhur me këtë fakt të rëndë dhe tërësisht të papranueshëm, reagoi Partia Demokratike, duke e cilësuar çeljen e fushatës elektorale në Qytetin Studenti, si përdhosje të sheshit “Demokracia”. Zëdhënësja e selisë së PD-ës, deklaroi se Rama mblodhi në atë shesh pinjollët e nomenklaturës komuniste, duke pasur në krah ministrin e brendshëm të diktaturës famëkeqin Gramoz Ruçin. “Edi Rama, hapi fushatën elektorale në qytetin studenti duke pasur në njërin krah si gonxhe të politikës së re Ministrin e Brendshëm dhe të Sigurimit të diktaturës, famëkeqin Gramoz Ruçi që skuqi me gjakun e engjëjve të demokracisë, studentëve liberatorë rrugët dhe sheshet e qytetit studenti të Tiranës dhe Shkodrës dhe në krahun tjetër Ministrin tjetër të Enver Hoxhës Skënder Gjinushin”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike. Sipas saj, Edi Rama përdhosi sheshin demokracia duke mbledhur në atë shesh pinjollët dhe bastardët e nomenklaturës Hoxhiste që studentët përmbysën nga pushteti 18 vjet më parë. “Në sheshin Demokracia me çunin e Kristaqit dhe të Xhelilit, gocën e Hamitit dhe çunin e Sul Bushatit nipat e Nexhmijes dhe pasardhësve të tjerë të pushtetarëve të vjetër, ata të gjithë së bashku mbrëmë, më shumë vajtonin se sa festonin më shumë ngjasonin me një procesion të rrënuar që kthehet në Vaterlon e tij në prag të falimentimit politik përfundimtar”, deklaroi zëdhënësja e PD.
...