Edvini nis fushaten me Gramoz Rucin dhe ata qe perdoren dhune ndaj studenteve qe kerkonin demokraci
Në mënyrë perverse, Edvini i Kristaq Ramës paraqet në Qytetin Studenti, Gramoz Ruçin si fytyrën e re të partisë, ish-ministrin e brendshëm të Ramiz Alisë, ndërkohë që në listën e tij ka rreshtuar shefin e sampistëve - dhunues të studentëve, në 1991 - Fidel Yllin, si dhe të birin e Sulejman Bushatit, njërit nga ikonat e regjimit që dhunonte shtetasit e vet.
Nën moton “Politikë e re për ndryshim”, Partia Socialiste ka çelur dje zyrtarisht fushatën me nje tubim në Qytetin Studenti pikërisht aty ku 18 vite më parë protestat studentore çuan në shembjen e rregjimit komunist gjysmëshekullor. Por fushata zgjedhore ka nisur me një sakrilegj të vërtetë. E majta ka nxjerrë në tribunë për të çelur mitingun Gramoz Ruçin, njërin prej fosileve të fundit të ramizizmit, i cili ka qenë protagonist në betejën për demokraci, por në krahun e diktaturës. Ka qenë protagonist, njëlloj si Skënder Gjinushi i cili po ashtu ndodhej dje në Qytetin Studenti në emër të politikës së re apo njëlloj si Fidel Ylli që atëhere drejtonte sampistët që godisnin studentët e sot është në listën e kandidatëve të “politikës së re”. Gramoz Ruçi doli dje në tribunë me të njëjtën paciptësi si atëhere kur betohej se sa të ishte ai gjallë, Partia Demokratike nuk do të mund të themelohej në Tiranë, apo kur pak muaj më vonë dha urdhër që të qëllohej mbi shkodranët që kërkonin demokraci, prej nga mbetën të vrarë 4 eksponentë të PD-së së Shkodrës. Edi Rama bëri dje zgjedhjen e ndërgjegjshme për ta nisur fushatën me një perversitet politik, me Gramoz Ruçin, duke kërkuar përdhosjen e ëndrrës së shqiptarëve, për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Sa për kronikë, mund të thuhet se më pas, aktorja Luiza Xhuvani, kandidate e socialistëve në Qarkun e Vlorës guxoi të shpërdoronte sloganin historik “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” edhe pse Shqipëria sapo është bërë anëtare më të drejta të plota në NATO dhe pret që fitojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Xhuvani deklaroi më tej se “për ta bërë Shqipërinë si Europa duhet ta bëjmë më parë si Tirana”. Por nëse për PS-në zyrtare modeli i Bashkisë së Tiranës duhet që të shtrihet në të gjithë Shqipërinë janë të shumtë që e kundërshtojnë atë. Prej kohësh e djathta, deri në njëfarë kohe LSI si dhe disa shoqata ambjentaliste kanë lëshuar alarmin e betornizimit të frikshëm të kryeqytetit shqiptar si pasojë e dhënies së shfrenuar të lejeve të ndërtimit. Vetë lideri historik i së majtës, Fatos Nano, tha disa ditë më parë se modeli i kryebashkiakut Rama nuk është model i socialistëve. “Askush nga PS-ja nuk ka përfituar nga administrimin e punëve të saj. Edi Rama ka krijuar ekipin e vet por ata nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste, janë një ekip teknokratësh që kanë sjellë një numër të pafund konteste për abuzime me fondet publike. Modeli i Bashkisë së Tiranës nuk jep asnjë mesazh politik për karrierën e ekspertëve. Ndërprerjet e befta të drejtuesve më të lartë të Bashkisë së Tiranës të lidhura me prishjen e aferrave të ndryshme klienteliste, janë dëshmi se aty nuk mund të punohet me meritokraci por vertëm mbi bazën e projekteve të manipuluara nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, nënvizoi Nano. Nuk mund të premtonte një performancë më të mirë, zevendësi i Nanos për 15 vite me radhë ne selinë rozë, Gramoz Ruçi. Ish-ministri i Brendshëm në kohën e vrasjeve makabre në kufi në vitet 1990-1991, i prezantuar tashmë si një përfaqësues i denjë i “politikës së re” që edhe iu caktua çelja e tubimit. Me një ton të egër e ultimativ ai u shpreh dje se “sot është një ditë e madhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt politikës së re, kanë mbetur 30 ditë për Sali Berishën”. Në tubimin e djeshëm nuk mungoi as keqpërdorimi i një incidenti banal para kryeministrisë ku u përfshi një biznesmen dhe dy gra të verbra.
...