E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Shoqata e Pronarëve: “Duam tokat në bregdet, jo paratë”

Myrshit Vorpsi: “Vendimi i qeverisë favorizon kompanitë e ndërtimit”. “Ky nuk është një ligj për ish-pronarët, ky është ligj i ri legalizimi

Eljona Ballhysa
Ka reaguar dje shoqata e ish-pronarëve “Për pronësi dhe drejtësi”, e cila ka kundërshtuar projektligjin e ri që pritet të miratojë qeveria për fshatrat turistike. Një prej drejtuesve të kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi, deklaroi dje për gazetën “Albania” se vendimi i qeverisë nuk i vjen aspak në ndihmë kategorisë së ish-pronarëve. Sipas tij, ky vendim nuk është për ish-pronarët, por është një ligj i ri legalizimi për zonat turistike. Vorpsi mendon se qeveria me këtë ligj po synon të favorizojë një kategori të caktuar njerëzish që përfitojnë, si dhe kompanitë e ndërtimit të këtyre fshatrave turistike. Në emër të shoqatës së ish-pronarëve, Vorpsi shprehet se ish-pronarët kërkojnë kthimin e pronave të tyre në bregdet, vlera e të cilave është shumë herë me e madhe se sa kompensimi financiar që synon të realizojë qeveria.
Kundërshtimi
“Të mos krijohet ideja se ky ligj është bërë për pronarët. Ky ligj nuk është gjë tjetër veçse një ligj i ri legalizimi. Qeveria, pasi dështoi me ligjin e legalizimeve, pasi në të nuk përfshiu zonat turistike, sot po merr hapin e fundit fare dhe u thotë këtyre banorëve që kanë blerë vila apo apartamente në bregdet të paguajnë truallin. Pra, ky është varianti i ri i ligjit të legalizimeve. Nuk bëhet absolutisht për pronarët, bëhet për ata që kanë blerë vilat”, - është shprehur nënkryetari i shoqatës së ish-pronarëve për “Pronësi dhe drejtësi”. Ai e cilëson të turpshme deklaratën e kryeministrit, sipas të cilit, ky ligj do të shërbejë për kompensimin financiar të pronarëve. “Këtu ngrihet një pikëpyetje. ǒdo të bëhet me ata që shkelën ligjin? Pra kompanitë e ndërtimit që morën paratë dje u larguan dhe tani nuk u futet asnjë gjemb në këmbë. Qeveria me këtë ligj po mundohet të transformojë pasurinë e patundshme të favor të disa personave. Dhe është e turpshme të thuhet se ligji do t’i shërbejë kompensimit të ish-pronarëve, pasi ato janë tokat tona. Qeveria po i shet dhe pastaj do të na dëmshpërblejë neve”, - është shprehur Vorpsi.
Projekti
Vorpsi ka bërë të ditur për gazetën se në vitin 1996 është miratuar një ligj për fshatrat turistike nga qeveria e Partisë Demokratike, që ishte atëherë në pushtet. Sipas tij, ky ligj parashikonte që tokat në bregdet shteti do t’ua jepte me qira kompanive të ndërtimit për ndërtimin e fshatrave turistike. Por, sipas Vorpsit, ky ligj nuk është zbatuar. Përkundrazi, shteti, sipas tij, i shiti këto toka dhe kompanitë e ndërtimit shitën apartamentet dhe vilat, morën paratë duke shkelur ligjin. Tani qeveria kërkon që personat që kanë blerë vilat të paguajnë për truallin. Vorpsi shprehet se synimi i ligjit të ri të qeverisë është që të mbrojë kompanitë e ndërtimit që këta të mos paguajnë për shkeljen e ligjit. Më tej ai bën të ditur se shoqata e ish-pronarëve do të presë miratimin nga qeveria të këtij ligji dhe më pas do të bëjë kundërshtimet e saj në Kuvend dhe në institucionet e tjera.

Deklarata e Berishës
“Borgjezia e re ta blejë truallin me çmimin e tregut”

Qeveria vendosi vetëm dy ditë më parë të legalizojë ndërtimet informale përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Këto ndërtime nuk kanë qenë objekt i ligjit të legalizimeve, ndaj dhe qeveria ka vendosur të hartojë një ligj të ri. Kryeministri Berisha u shpreh gjatë mbledhjes së qeverisë se është gati projektligji që parashikon funksionimin e fshatrave turistike dhe përcakton mënyrën e legalizimit të objekteve pa leje të ndërtuara në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Berisha tha se pronarët e këtyre ndërtimeve do të paguajnë truallin mbi të cilin kanë ndërtuar, në bazë të vlerës së tregut. Ndërsa paratë që do të mblidhen do të përdoren për kompensimin financiar të ish-pronarëve, tokat e të cilëve në bregdet janë zënë nga ndërtimet pa leje. Projektligji i ri i njoftuar nga kryeministri pritet të miratohet gjatë mbledhjes së ardhshme të qeverisë. “Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistike. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të weekend-it. Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët”, - është shprehur Berisha. Ai ka bërë të ditur se këto ndërtime informale në zonën e bregdetit nuk janë objekt i ligjit të legalizimeve dhe për këtë qeveria po harton një ligj të ri. “Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezi e re, por që, në fakt, nuk ka ndër mend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj. Ky vend kaloi në shekullin e ri dhe ende nuk ka dalë dikush e të thotë unë jam borgjez, madje edhe miliarder po të jetë”, - është shprehur Berisha.

Ligji i legalizimeve: Ndërtimet që përjashtohen
Neni 1
Për ndërtimet pa leje, të ngritura brenda zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, të përcaktuara sipas Ligjit nr. 7665, datë 21.01.1993, “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave përcakton vendbanimet formale, zonat informale dhe territoret e tjera, brenda zonave që kanë përparësi turizmin, në të cilat do të kryhet legalizimi sipas këtij ligji. Afati i vetëdeklarimit fillon pas daljes së vendimit për këto zona.

Neni 13
1. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të pezullojë zbatimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje, në territore me nivel të lartë ndotjesh mjedisore, si dhe të zbatojë ose të planifikojë strategji për eliminimin e ndotjeve të mjedisit në zonë sipas afateve konkrete.

Neni 37
Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë rëndë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (p.sh. bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›