Shefi i ri i NATO-s: Kosova, prioritet i lartë gjatë mandatit tim
PRISHTINË – Menbjëherë pas Afganistanit, Kosova ka qenë destinacioni i dytë për kreun e sapozgjedhur të Aleancës ushtarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, deklaroi dje në Prishtinë se Kosova do të jetë një nga prioritetet më të mëdha të aleancës ushtarake gjatë mandatit të tij, që ish-kryeministri danez mori dy javë më parë. "Fakti që unë kam vendosur të vij në Kosovë vetëm pak ditë pasi kam marrë detyrën e re në krye të NATO-s, tregon qartë se i kam dhënë Kosovës prioritet të lartë në mandatin tim", tha Rasmusen.
Deklaratat
Pas një takimi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmusen theksoi se ua ka bërë të qarë autoriteteve të Prishtinës prioritetet kryesore të tij rreth Kosovës Duke folur lidhur me reduktimin e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, Rasmusen tha se ky proces reflekton përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë, ndërsa saktësoi se reduktimi do të bëhet në vitet e ardhshme.
Rasmusen tha se vendimi për reduktim të trupave është i kushtëzuar, që do të thotë se reduktimi do të bëhet në pajtim me përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë. "Ne nuk do të marrim asnjë vendim që do të kishte ndikim negativ për sigurinë në Kosovë. Ne do ta bëjmë të qartë se çfarëdo vendimi është i bazuar në këshilla ushtarake të besueshme si dhe pas një vlerësimi politik për situatën", theksoi Rasmusen.
Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e NATO-s për të ndihmuar zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Rajoni
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s foli edhe lidhur me procesin e integrimeve euro-atlantike të vendeve të rajonit. Ai vlerësoi se integrimi i vendeve të Ballkanit në strukturat euroatlantike do të krijonte stabilitet të qëndrueshëm. Rasmusen tha se në vizionin e tij ka mbështetjen e këtyre vendeve për të përmbushur kriteret e nevojshme për integrim.
"Vizioni im i qartë është të sigurojmë një perspektivë euroatlantike për të gjitha vendet në Ballkan, për Kosovën dhe gjithashtu edhe për Serbinë. Mendoj që kjo do të ndihmojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në këtë pjesë të Evropës, nëse i sigurojmë për një perspektivë evropiane", - vlerësoi Rasmusen.
"Vendet kandidate, pavarësisht a flasim për BE-në apo NATO-n, duhet të plotësojnë kriteret e domosdoshme, përfshirë edhe zgjidhjen paqësore të kontesteve kufitare dhe të mbrojnë të drejtat e minoriteteve", tha Rasmussen.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka takuar dhe komandantin e KFOR-it, gjenerallejtënant Gjuzepe Emilio Gaj dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujotën. Në fund, Rasmusen zhvilloi bisedime edhe me përfaqësuesit kyçë të komunitetit ndërkombëtar dhe me udhëheqësit lokalë politikë.
Thaçi: Qeveria, e gatshme të realizojë kushtet për zgjedhjet e nëntorit
PRISHTINË.- Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të plotësojë të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, të parat pas shpalljes së pavarësisë së vendit. "Sytë e gjithë botës janë drejtuar nga ne që të shohin se si do t’i organizojmë dhe menaxhojmë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur", - theksoi kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë sot pasdite. "Republika e Kosovës do të jetë model i organizimit të zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të ndershme", shtoi ai.
Qeveria gjithashtu ka plotësuar vendimin nga mbledhja e kaluar për blerjen e objekteve për katër ambasadat e Republikës së Kosovës në Uashington, Londër, Bruksel dhe Paris, duke shtuar edhe blerjen e objektit për ambasadën e pestë në Republikën Federale të Gjermanisë.
14 Gusht 2009