Reagon qeveria për protestën, Albana Koçiu: Dhunë e orkestruar

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protestuesit dëmtuan godinën dhe pati përplasje me policinë.
Përmes një postimi në Facebook, Koçiu e cilësoi situatën si degradim të kulturës së protestës në dhunë, duke ironizuar edhe pretendimin se kjo dhunë ishte “provokuar” nga pllakat e trotuareve.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve”, shkruan Koçiu.
Ajo theksoi se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, ndërsa dënoi sulmet ndaj institucioneve, Policisë së Shtetit dhe dëmtimin e pronës publike.
“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, përfundon reagimin e saj zëvendëskryeministrja.