Policia pranon, goditi për spital gazetaren, 23 arrestime

Policia ka kryer 23 arrestime të studentëve ndërsa ka bërë për spital një gazetare, sipas njoftimit të vetë policisë.
DEKLARATA E POLICISË/ Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.
Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.
Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.
Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.
Sponsorizuar
Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi. a.b