E Diel, 1 Nëntor 2026

Real-Barça, Kaka e Ibra mungojnë

“El Clasico” Sot, në orën 22.00 në “SuperSport”, supersfida që vendos fatin e La Ligas

Sot në orën 22.00 në “Santiago Bernabeu” do të luhet supersfida ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës. Gazetat spanjolle e kanë cilësuar “el partido del milenio” (ndeshja e mijëvjeçarit), një sfidë që sipas të gjitha gjasave do të jetë vendimtare për fituesen e titullit në La Liga në fund të këtij sezoni. Një përballje spektakolare, protagonistët kryesorë të së cilës pritet të jenë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. Por, vetëm pak orë përpara se skuadrat të zbrisnin në fushën e lojës, është konfirmuar mungesa e dy emrave të tjerë të mëdhenj: Zlatan Ibrahimoviç dhe Kaka. Pas mungesës në Champions kundër Arsenalit, në takimin e kthimit të çerekfinaleve, Pep Guardiola nuk e ka përfshirë në skuadër sulmuesin suedez për shkak të problemeve muskulore. Në anën tjetër, Kaka ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi në muskulin aduktor i kofshës së majtë, i cili e ka detyruar të qëndrojë disa javë jashtë fushave.

Për mjaft tifozë nga e gjithë bota, Real-Barça është ndeshja më emocionuese që mund të shijohet në nivel klubesh. Por, dy klubet gjigantë të Spanjës luajnë për më tepër sesa thjesht për tri pikët (që vendosin garën për titull): është një ndeshje prestigji, nderi, madhështie… është dueli i përjetshëm për të treguar se cila prej tyre dominon në gadishullin Iberik. Një sfidë, në të cilën nuk mungon as sfondi politik dhe përballen dy filozofi që gjithmonë kanë qenë në kontrast me njëra-tjetrën. Kjo nuk është thjesht “El Clasico” e La Ligas, por e të gjithë botës. Reali vjen në këtë sfidë pas 12 fitoreve radhazi dhe pa pësuar asnjë humbje në fortesën “Bernabeu”. Pelegrini ka pasur të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion, për të përgatitur me qetësi sfidën kundër “blaugrana”-ve, që në mesjavë luajtën në Champions League. Megjithatë, problemi i mbrojtjes “merengue” nuk do të jetë vetëm si të ndalojnë Leo Mesin, por edhe Ksavin e Iniestën, “trurin” e makinerisë me emrin Barça. Ashtu si në takimin e parë në “Kamp Nou”, ku madrilenët ishin superiorë edhe pse humbën 1-0, presingu në mesfushë do të jetë asfiksues. Në anën tjetër, sekreti është moduli 4-2-3-1 i Guardiolës, i cili i ka krijuar mundësinë Mesit të shpalosë vlerat më të mira: në këtë mënyrë argjentinasi ka më tepër hapësira për të lëvizur, e rrjedhimisht bëhet më i rrezikshëm përpara portës. Forma e jashtëzakonshme e “pleshtit” ka terrorizuar tifozët madrilenë, ndërsa mbështetësit katalanë shpresojnë të përsëritet fitorja 2-6 e sezonit të kaluar. Një statistikë interesante vjen nga “El Pais”, e cila ka krahasuar mesataren e golave të shënuar nga Mesi me dhe pa Ibrahimoviç në fushë. Rezultati tregon se sulmuesi përkrah Ibrës shënon në çdo 116 minuta (Zlatan në çdo 136). Pa suedezin në fushë, 22-vjeçari gjen rrjetën në çdo 55 minuta. “El Mundo Deportivo” shkruante për “sindromën e 10-s”, e cila ka goditur Realin. Mesi, që mban numrin 10, është hallka e parë e zinxhirit. Tri të tjerat lidhen me data kalendarike. Më 10 nëntor “merengue” u eliminua nga Kupa e Mbretit nga Alkorkon, skuadër e kategorisë së tretë. Më 10 mars ata u eliminuan nga Lioni në Champions. Ndërsa ndeshja që vendos titullin me Barçën, do të luhet pikërisht sot, më 10 prill.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›