E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid kërkon trofeun numër 10 në Champions League

MADRID - Reali i Madridit mbetet i uritur sa i takon Ligës së Kampioneve. Edhe pse madrilenët e kanë fituar 9 herë Championsin, ky klub vijon te këtë oreks sa i takon këtij kompeticioni. Tifozëria, futbollistët, drejtuesit dhe Murinjo e ndjejnë përgjegjësinë e këtij sezoni, pasi do të shkruanin historinë, sepse për Real Madridin do të ishte trofeu i 10-të në Champions, si asnjë ekip tjetër në Europë.

Edhe mesfushori i Realit të Madridit, Sami Kedira, në një intervistë për revistën zyrtare të Champions Ligë, siguroi se skuadra e tij nuk ndien presion para sfidës së parë gjysmëfinale ndaj Borusias së Dortmundit, duke shtuar gjithashtu se për Los Blankos “La Decima”, trofeu i dhjetë i Championsit, është gjithçka.

“Ne nuk ndiejmë kurrfarë presioni në Champions Ligë, sepse ne jemi mësuar me situata të tilla. Ky trofe është objektivi ynë dhe ekziston një dëshirë e madhe për ta fituar. Portieri ynë Iker Kasijas është i vetmi nga ne që e ka shijuar këtë trofe edhe më parë me Realin” – ka deklaruar Kedira.

Por nuk është vetëm Kedira që e do këtë trofe, të gjithë e duan te Reali i Madridit, aq më tepër që kjo skuadër drejtohet nga një trajner me mjaft ambicie, siç është Murinjo, i cili e ka provuar të fitojë dy herë Ligën e Kampioneve, me Porton dhe Interin.

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›