E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, pritet marrëveshja PS-LSI, Meta: Koalicion i natyrshëm, solid e afatgjatë

SHKODER - Në Shkodër po zhvillohet Konferenca e Partive Socialiste Europiane, në përfundim të së cilës kryetari i PS-së Edi Rama dhe ai i LSI-së Ilir Meta do të firmosin marrëveshjen për koalicionin parazgjedhor. 

META: KOALICIONI ME PS I NATYRSHËM, SOLID E AFATGJATË
ORA 16:41 - Gjatë fjalës së tij në konferencën e PSE-së, lideri i LSI-së Ilir Meta falënderoi përfaqësuesit e lartë të partive të majta të Ballkanit për inkurajimin që i bënë të majtës shqiptare për tu bashkuar në një koalicion të natyrshëm, që siç tha ai, do të jetë solid e afatgjatë.

ZHVILLOHET KONFERENCA E PSE, PRITET MARREVESHJA PS-LSI
ORA: 15:40 - Konferencën e Partive Socialiste Europiane  e çeli presidenti i Internacionales Socialiste, Sergeri Stanishev nëpërmjet një videokonference nga Brukseli. Gjatë fjalës së tyre në këtë konferencë, liderë të së majtës nga Mali i Zi, Bullgaria, Britani, Sllovenia, etj, u përqendruan përveçse në situatën parazgjedhore në Shqipëri, edhe në atë politike në vend dhe rajon, sfidat ekonomiko-sociale, në perspektivën dhe dëshirën e përbashkët për të eliminuar nacionalizmat e dëmshme dhe për të qenë të bashkuar pjesë e BE-së. 

Përfaqësuesja e socialdemokratëve sllovenë, euro-deputetja Tanja Fajon, tha gjatë fjalës së saj se "Shqipëria ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e Europës. Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdha, ndaj duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimit Europian"

Burime nga PS-ja, bëjnë të ditur se në përfundim të këtij aktiviteti, Rama dhe Meta do të siglojnë një dokument të detajuar të marrëveshjes. PS dhe LSI kanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes, përmes së cilës e majta kërkon të maksimalizojë çdo votë drejt qëllimit final, fitimin e zgjedhjeve. 

Është zgjedhur ky moment për nënshkrimin e marrëveshjes, përpara drejtuesve më të lartë të socialistëve europianë, në shenjë mirënjohjeje për nxitjen dhe thirrjet në adresë të Ramës dhe Metës për t'u bashkuar. Kjo marrëveshje, që do të ketë firmat e Ramës dhe Metës, merr formë zyrtare, në një kohë kur regjistrimi i koalicioneve po shkon drejt limiteve kohore, që është data 23 prill. Komentatorë politikë e shikojnë marrëveshjen e së hënës, si një ngjarje historike për të majtën shqiptare, pas shumë vitesh ndarjeje, akuzash  dhe kundërakuzash mes drejtuesve të PS-së dhe LSI-së. 

Sipas ligjit, afati kohor për regjistrimin e koalicioneve pranë KQZ-së është 23 prilli, pra deri të martën, Partia Socialiste bashkë me 34 partitë e tjera të koalicionit opozitar duhet t'i kenë zyrtarizuar marrëveshjet mes tyre, ndërkohë që pritet një përgjigje edhe nga PBDNJ-ja e Dules.

(vijon)
(e.m/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PS firmos me PBDNJ koalicionin, 'Aleanca për Shqipërinë Europiane'

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›