E Diel, 1 Nëntor 2026

Real Madrid, nis me showepoka e Zhoze Murinjos

MADRID- Reali i Madridit ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore nën drejtimin e Zhoze Murinjos, i cili edhe këtë herë e ka kthyer atë në një show për mediat. Portugezi ka bërë gjeste të ndryshme, ka ndryshuar herë pas here mimikën dhe ka ulëritur shpesh, duke i bërë të “çmenden” gazetarët e pranishëm. Në ditën e parë, ai ka patur në dispozicion vetëm 10 futbollistë, pasi pjesa tjetër ka qenë e impenjuar në Botëror. Munguan gjithashtu Raul dhe Guti, të cilët janë lënë të lirë të zgjedhin një skuadër tjetër.
Ibrahimoviç
Zllatan Ibrahimoviç ka kthyer mbrapsht vendimin e tij, duke deklaruar dje se do të rikthehet të luajë për kombëtaren suedeze në eliminatoret e Euro 2012. Sulmuesi i Barcelonës bëri të ditur në tetor se do të qëndronte larg përfaqësueses për ca kohë, por dje ka ndryshuar mendje. “Gjithnjë e kam thënë se jam krenar të luaj për kombëtaren, - u shpreh Ibra në konferencën e djeshme. – Më llogarisni edhe mua në ndeshjen e radhës të Suedisë”. Ibra tha në tetor se mosvajtja në Botëror i kishte hequr motivacionet.
Barcelona
Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell ka hedhur poshtë zërat se ai do të bëjë një ofertë stratosferike për të blerë çesk Fabregas nga Arsenali. Mediat spanjolle kanë shkruar se katalanasit do të shpenzojnë 50 milionë euro për Fabregas, ndërsa anglezët kanë refuzuar ofertën e parë prej 35 milionësh. “Nëse Arsenali do të pranojë të ulet në bisedime për çesk, nuk do të ketë oferta prej 60, 70 apo 80 milionë, - tha Rosell. – Nuk duam të bëjmë shpenzime stratosferike vetëm për sy e faqe”.
Uejn Runi
Lajme të mira për Uejn Runin. Pavarësisht dështimit në Botëror, Mançester Junajtid ka ndërmend ta lidhë më shumë pas vetes sulmuesin, duke i ofruar atij një kontratë faraonike. Runit do t’i rritet rroga nga 100 mijë, në 130 mijë stërlina në javë, ç’ka e bën atë futbollistin më të paguar të Premier Ligës angleze. Një shifër që do të shërbejë për të larguar nga sulmuesi Realin e Madridit dhe Murinjon, që e pëlqejnë shumë. Ndërkohë, madrilenët janë shumë pranë marrjes së Vidiç nga Mançesteri.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›