Tirana, vjen rokada e dhunshme ndaj Apolonisë
Tirana shpërtheu ndaj Apolonisë, duke fituar me rezultatin bindës 4-1 në takimin përmbyllës të javës së 16-të të Kategorisë Superiore.
Bardheblutë kanë bërë rokadën me Apoloninë në vendin e tretë, pasi e kanë mundur thellë skuadrën fierake në stadiumin "Qemal Stafa". Në një terren të rënduar, bardheblutë kanë ditur të aplikojnë më së miri kundërsulmin, me topin e gjatë dhe krosimet nga krahët, prej nga kanë ardhur plot katër gola. Në fakt Apolonia e ka nisur më mirë ndeshjen, teksa ka rrezikuar brenda 10 minutave të para dy herë me Bërkiç dhe Haxhibuliç. Por, vetëm kaq ka zgjatur qëndresa fierake, pasi më pas gjithçka e ka marrë nën kontroll Tirana, eE cila e ka mbyllur pjesën e parë me fitoren 2-0. Arbër Abilaliaj shënoi në minutën e 15-të pas asistit të kapitenit Devi Muka, ndërkohë që Gjergji Muzaka dyfishoi shifrat në minutën e 29-të (po asist i Devi Mukës). Si Abilaliaj, ashtu dhe Muzaka u ngjitën në kuotën e katër golave secili në këtë sezon. Kjo i ka krijuar qetësinë e duhur skuadrës vendase, për ta kontrolluar lojën në pjesën e dytë, ku Apolonia dukej e rënduar psikologjikisht. Talenti bardheblu, Blerti Hajdari, realizoi golin e tretë për 24 herë kampionët në minutën e 73-të, përpara se Apolonia të shkurtonte diferencën me Arbër Dhramin në minutën e 85-të. Hajdari fitoi një penallti pas frenimit të tij nga lojtari i Apolonisë, Feruzoviç. Te pika e bardhë u shfaq Migen Memelli, por gjuajtja e parë e sulmuesit bardheblu u anulua nga gjyqtari Remzi Sadiku, pasi një lojtar i Apolonisë u fut në zonë në momentin e gjuajtjes. Në tentativën e dytë, Migen Memelli realizoi në minutën e 90-të, duke shënuar golin e katërt të Tiranës dhe të parin sezonal për vete, duke u zhbllokuar pas 16 javësh në kampionat. Kësisoj Tirana ka fituar pastër 4-1 ndaj Apolonisë, duke i rrëmbyer dhunshëm skuadrës fierake vendin e tretë në renditje. "Ishte një ndeshje e mirë për ne, u shpreh Pafaji në fund. Skuadra ishte e motivuar dhe e meritoi fitoren. I zgjidhëm situatat në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë kisha besim tek ekipi, pasi edhe në takimin ndaj Besës ne bëmë lojë të mirë, pavarësisht rezultatit. Pra skuadra po rritet. Më vjen mirë për kthimin e sulmuesve te goli, paçka se e gjithë skuadra krijoi sot lojë dhe ishte e natyrshme që ata të shënonin. Të rinjtë që aktivizova gjithashtu e justifikuan veten. Patëm shumë dëmtime, por loja e futbollistëve sot bëri që këto mungesa të mos ndihen sa duhet. Në tërësi mund të them se ishte një fitore plotësisht e merituar dhe bindëse e ekipit tim". Për fierakët kjo ishte humbja e gjashtë në 16 javë, e mesa duket as ardhja e Hasan Likës si zëvendësues i Esad Karishikut nuk po e shpëton dot skuadrën fierake nga ndeshjet jo rezultative në transfertë.