Dëbora e madhe shtyn sfidën Skënderbeu-Besa
Shtyhet ndeshja Skënderbeu-Besa për shkak të kushteve të rënduara nga reshjet e dëborës. Një ditë para ndeshjes reshjet kanë mbuluar fushën, duke vështirësuar kushtet në të cilat do të mbahej ky takim. Por edhe pse dëbora ka shkrirë, ndeshja është shtyrë nga ana e gjyqtarëve dhe vëzhguesve, për shkak se fusha ka qenë e mbushur me ujë pas reshjeve të një dite më parë. Në këto kushte, terreni i rënduar është vlerësuar papërshtatshëm për zhvillimin e ndeshjes. Trajneri i korçarëve, Gerti Haxhiu, ka kontestuar vendimin me pretendimin se mund të luhej në këto kushte, pasi terreni sipas tij i plotëson parametrat për zhvillimin e ndeshjes dhe para saj janë marrë të gjitha masat për kushte normale loje. Ai insistoi që kjo sfidë e rëndësishme të mos shtyhej për një tjetër kohë. Gjatë ditës së diel, në Korçë nuk ka pasur reshje, gjë që nuk ka çuar në rëndimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa sipas titullarëve të Skënderbeut, edhe pse fusha ka pasur ujë, si pasojë e dëborës së një dite më parë, nuk ka qenë aq e përkeqësuar sa të çonte gjyqtarët dhe vëzhguesit në një vendim të tillë. "Për mendimin tim, ky vendim është paksa kontradiktor, duke pasur parasysh kushtet në të cilat janë zhvilluar edhe ndeshje të tjera. Unë jam për atë që një ndeshje të zhvillohet në kushte sa më normale, por kjo fushë është e praktikueshme dhe madje ekipi sot është stërvitur. Ne duhet të harrojmë humbjen me kolonjarët dhe koha nuk na favorizonte për një shtyrje të takimit me Besën. Në raport me ndeshjet e tjera të luajtura së fundmi, mendoj se mund të bëhej një lojë normale në fushë. Megjithatë, presin vendimin e FSHF-së për caktimin e datës", thotë Haxhiu, trajneri i Skënderbeut. Pas vendimit, skuadra kavajase është larguar menjëherë, ndërkohë si për të demonstruar se në fushë mund të luhej normalisht, lojtarët e Skënderbeut kanë vijuar të qëndrojnë në fushë, duke u stërvitur. Shtyrja nuk e ka favorizuar aspak ekipin korçar.
J. Dhimitri