E Diel, 1 Nëntor 2026

Real-Murinjo: Do të na kenë frikë

Trajneri portugez u prezantua dje në Bernabeu dhe u lëshon sfidën rivalëve

Dhjetë ditë pas finales historike Inter-Bajern Mynih, “Santiago Bernabeu” rigjen Zhoze Murinjon, sepse dje ishte dita e tij. Dita e parë e tij si trajneri i Real Madridit. Murinjo vjen në Bernabeu me një Ferrari ngjyrë blu të errët, bashkë me menaxherin e tij Horge Mendes. Në konferencën për shtyp nuk e ka tepruar me autoreklamë. I shoqëruar nga Horge Valdano, i buzëqeshur dhe i qetë shfaqet Murinjo para dhjetëra fotografëve e telekamerave. “është një nder që të kemi këtu me ne”, thotë Valdano gjatë prezantimit. Pastaj i takon atij: “A besoj unë se kam lindur për të drejtuar Realin? Nuk e di. Por kam lindur për të qenë trajner futbolli. Më tërheq Reali, historia e tij, vuajtjet gjatë viteve të fundit. është një klub unik: për një trajner të mos drejtosh Realin do të ishte një mangësi në karrierë. Jam shumë krenar që kam këtë përgjegjësi. Tani më e bukura është të fitojmë: ky është motivimi im”. I pyetur se a ka frikë mos shkarkohet, nëse në fund të sezonit renditet pas Barcelonës dhe nuk fiton trofe, ai përgjigjet: “çdo trajner duhet të jetë i përgatitur për shkarkimin, por nëse jetohet me frikë, nuk punohet mirë dhe nëse nuk punohet mirë, ka vështirësi. Jam një trajner me vetëvlerësim e besim te vetja dhe nuk mendoj për shkarkimin, mendoj se 4 vite kontratë janë të mjaftueshme për të fituar dhe për të ndërtuar një skuadër me identitetin e saj. S’do të ketë asnjë transformim radikal, por vetëm ndryshime të vogla”. Pastaj për Kristiano Ronaldon: “është lojtar i jashtëzakonshëm për të gjithë botën e futbollit, por forca e skuadrave të mia nuk është individi, por grupi; kështu arritja e rezultateve është më e lehtë”. I pyetur nëse ndihet trajneri më i mirë në botë, thekson: “Jo, them se ka një grup trajnerësh me cilësi të mëdha, pastaj janë rezultatet që vendosin kush është më i miri. Më duket se rezultatet e sezonit të fundit më kanë bërë mua trajnerin më të mirë”. Më pas flet për premtimet: “Jo. Premtimi është se jam Murinjo, punoj mirë dhe dedikohem deri në fund. Më pëlqen puna e ndershme me personat që punoj”. Anti-Barcelona: “Nuk jam një anti-Barcelona, jam trajner i Realit dhe nuk shqetësohem për Barçën. Nëse tifozët e Barçës më urrejnë, është problem i tyre, jo i imi. Frika nuk hyn në fjalorin tim futbollistik. Duhet të respektojmë kundërshtarin”. Nostalgji për Interin dhe Italinë: “Si trajner përmirësohem çdo ditë. Në Itali kam punuar dy vite dhe kam mësuar. Atje ka qenë e vështirë: trajnerë të mëdhenj, lojtarë të mëdhenj. Jam më i miri pas dy vjetësh dhe jam krenar për këtë”; pastaj për Moratin: “Nuk kam folur me të për trajnerin e ardhshëm të Interit, por ka një skuadër që do të fitojë sërish, që është ndërtuar të fitojë edhe nesër. Do të duhet një trajner i madh, por ekziston struktura. Do të jetë me fat se i kam dhënë mundësinë të fitojë Superkupën Europiane dhe Interkontinentale”. Nuk pranon të jetë një provokator: “Nuk jam provokator, por një punëtor që punon shumë. Duke punuar shumë, dua respekt. Në të kundërt do të duhet të mbrohemi”. Loja ime mbrojtëse? “Nëse një skuadër luan me 5 sulmues si Pandev, Eto'o, Milito, Shnajder e Thiago Mota dhe arrin të ketë një mbrojtje të madhe, kjo ndodh sepse trajneri është një trajner i madh”. Më pas vijnë Champions dhe frika për shortin e mundshëm: “Unë nuk premtoj Champions-in, por Reali i Madridit nuk duhet të ketë frikë nga shorti i Champions-it, janë kundërshtarët tanë që duhet të kenë frikë. Nuk dua të shikoj frikë në dhomat e zhveshjes të Realit. Do të luajmë me Interin, Bajernin apo Mançesterin. Frika duhet të jetë në dhomat e zhveshjes së kundërshtarëve. Champions duhet të jetë një ëndërr për Realin, jo një obsesion”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›