Maradona, vetofrohet. Morati e ka refuzuar
Largimi i Zhoze Murinjos drejt Realit të Madridit ka bërë që drejtuesit e Interit të kërkojnë një drejtues të ri për stolin. Lista e pretendentëve është e gjatë, ndërsa nuk mungojnë as ata që janë vetofruar për të marrë këtë detyrë. I tillë është trajneri i Kombëtares së Argjentinës, Diego Armando Maradona. Përpara disa ditësh, ai tentoi t’i shtohej listës që përmban emrat e Fabio Kapelos, Rafa Benitez, Gus Hidink, Pep Guardiolas, Leonardos, Karlos Dungës, Sinisha Mihajloviç, Roi Hodgson, e deri te Zendek Zeman. Trajneri i përfaqësueses argjentinase i ka transmetuar presidentit Masimo Morati disponueshmërinë për t’u bërë pasardhësi i Murinjos. Madje, ai ka paraqitur edhe shifrën që pretendonte për të punuar në krye të stolit zikaltër: 3 milionë euro rrogë në vit. Përgjigjja e njëshit të Interit ishte një refuzim me politesë. është e vërtetë se në të kaluarën klubi kampion i Italisë kishte hedhur bazat për një bashkëpunim me “Pibe de Oro”. Në atë periudhë, përpara se të merrte drejtimin e “selesion”, diskutohej që Maradona të bëhej vëzhgues i skuadrës zikaltër në Amerikën Jugore. Refuzimi lidhet kryesisht me përjashtimet e Havier Zanetit dhe Esteban Kambiasos nga Argjentina për Kupën e Botës 2010. Këta lojtarë janë dy elementë me mjaft peshë në “Apiano Xhentile” dhe dy prej protagonistëve absolutë të skuadrës gjatë viteve të kaluara, por edhe në sezonin e “tripletës” (Champions, kampionat dhe Kupë). Problemet me Zanetin dhe Kambiason e bënin të pamundur që ideja për emërimin e Maradonës në krye të stolit të merrej në konsideratë.
#