Spekulimet e merkatos: Stoner te Honda, Vale Rosi te Dukati
Sezoni i MotoGP ka filluar prej pak kohësh, megjithatë spekulimet për ndryshimet e pilotëve gjatë sezoneve të ardhshme nuk mungojnë. Një prej zërave që qarkullonte përpara çmimit të Madh në Jerez ishte se Keisi Stoner ka firmosur për Hondan. Kjo ka nxitur “efektin domino”. Gjithçka ka lindur prej kalimit të ish-menaxherit të skuadrës Dukati, Livio Supo te skuadra japoneze. Drejtuesit e Hondës janë nisur nga larg për të arritur te shërbimet e Stonerit. Negociatat me australianin duket se kanë nisur pikërisht nga Supo, i cili është takuar me përfaqësuesit e pilotit në garën e Katarit dhe në atë të Jerezit. Kontrata e Stoner me skuadrën italiane përfundon pas këtij botërori dhe ai duket se e ka pranuar ofertën e Hondas. Kalimi i tij do të sillte në mënyrë të paevitueshme largimin e Dani Pedrozës, i cili duhet të fillojë të mendojë për të gjetur një skuadër të re. Këto ndryshime cilësohen edhe si shansi i artë që Dukati të shfrytëzojë duelin që ekziston te Jamaha ndërmjet Valentino Rosit dhe Horge Lorencos. Ata do të ishin të gatshëm t’i ofronin një motor “Doktorit”, ndërsa ky i fundit nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se e ka pikë të dobët ngjyrën e kuqe. Flitet se Dukati i ka ofruar dy vjet kontratë Rosit, i cili ka shansin të mbyllë karrierën në nivele të larta.
#