Reali e Roma, kandidate për Lorik Canën
Edhe Reali i Madridit dhe Roma shohin me interes Lorik Canën. Dy klubet prestigjioze qëndrojnë përkrah Bajernit të Mynihut, Arsenalit dhe Evertonit në garën për të siguruar shërbimet e lojtarit të Kombëtares shqiptare. Mediat franceze vazhdojnë të shkruajnë për ofertat e shumta në adresë të 25-vjeçarit kuqezi, duke rikthyer në vëmendjen e opinionit sportiv, vëzhgimet nga kampionët e Spanjës dhe nga verdhekuqtë e drejtuar nga Luçiano Spaleti. "Sipas tabloidit ‘The Sun‘, Evertoni këmbëngul për Canën", theksonte "transfert2foot". "Trajneri skocez, David Mojes, dëshiron me çdo kusht shërbimet e mesfushorit shqiptar, që spikat për lojën e tij luftarake. Drejtuesi i stolit të Evertonit është i gatshëm të paguajë nga 10 deri në 15 milionë euro. Megjithatë, për lojtarin janë të interesuara edhe Bajerni i Mynihut, Arsenali, Reali i Madridit dhe Roma, të cilat e mbajnë nën vëzhgim". Pyetja e vetme që ngrihet tashmë në ambientet e Olimpikut të Marsejës është nëse trajneri Erik Gerets dhe drejtuesit e klubit do të lejojnë largimin e kapitenit, në një kohë kur skadon edhe kontrata e mesfushorit rezervë, Modest M‘bami.