Reali ëndërron Ançelotin, Kaka e K. Ronaldo
Ai vazhdon të heshtë. Por, përreth tij, bëhet shumë zhurmë. Bëhet fjalë për Florentino Perez, presidentin e Real Madridit, që të gjithë madrilenët e duan, e presin, e admirojnë. Një lloj "Krishti" i shumëpritur në "Casa Blanca", pas dështimeve të njëpasnjëshme të menaxhimit nga Kalderon. Tifozët nuk janë të kënaqur as me stilin e lojës së imponuar nga trajneri Huande Ramos. Madrilenët duan të ëndërrojnë, dhe "As", në edicionin e djeshëm, u jep një ndihmë në prag të fundjavës. "Edhe pse në heshtje, Florentino Perez po përgatit projektin e tij". Ky ka qenë titulli i madh i faqes së parë të "As", i shoqëruar me tri foto. Nga e majta në të djathtë, Kristiano Ronaldo, Karlo Ançeloti dhe Kaka. Mbi kokat e tyre është fjala magjike: "Kristiano dhe Kaka do të jenë ‘Galacticos‘-at e tij". E lëmë spanjisht, sepse tingëllon më bukur. Dhe pastaj vijnë dy faqe të brendshme: "Me Florentinon do të riktheheshin më të mirët". "As" konfirmon se trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, është i përzgjedhuri i Perez. Ai ka marrë këshilla nga mjeshtri i tij i vjetër: "Saki e sheh të përgatitur". Ançeloti kryeson një miniklasifikim "florentinian", ku lë pas Vengerin, Benitezin e Murinjon, të gjithë të impenjuar për momentin. Dashuria mes teknikut italian dhe Real Madridit ka ekzistuar prej kohësh: "As" kujton se si në 2006-ës, pasuesi i dorëhequr i Perezit, Fernando Martin, i shkoi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Ançelotin. Më pas, Martin rrëzohet, vjen Kalderon dhe merr Fabio Kapelon. Tri vite më pas, lind sërish dashuria. Derisa të përcaktohet data e zgjedhjeve, Florentino nuk "do të zbresë në fushë", por pas kuintave, ish-presidenti po punon prej kohësh për të përgatitur rikthimin e tij. Data e famshme do të dalë pas asamblesë, që do të riparojë atë të trukuar nga Ramon Kalderon në dhjetorin e kaluar, e cila do të mbahet më 29 mars. Tashmë është regjistruar një kapitull i ri i rëndësishëm për Kristiano Ronaldon. Banko "Santander" ka treguar disponueshmërinë e saj, për dhënien e kredisë prej 70 milionë eurosh, që do të përdoret për blerjen e portugezit të Mançester Junajtid. Po ashtu, nuk dihet ende se si do të veprohet për të bindur Milanin, të lërë të lirë Kakanë. Për momentin, Madridi ëndërron.