E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, miratohet buxheti për 2009-n

15/02/2009  Këtë vit 600 milionë lekë më shumë se 2008-ta. Kryebashkiaku Gjoka rendit investimet

Projekti i buxhetit të Bashkisë së Sarandës për vitin 2009, me shifër rreth 600 milionë lekë i është nënshtruar mbrëmjes së djeshme diskutimit dhe debatit disaorësh, të zhvilluar mes këshilltarëve në sallën e filialit universitar të qytetit dhe në fund ajo është miratuar me unaminitet të plotë nga të zgjedhurit lokalë. Kjo është cilësuar mbledhje e zakonshme e Këshillit Bashkiak, por me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi u hap rrugën investimeve dhe realizimeve të vitit 2009.

Diskutimet

Pas prezantimit të rendit të ditës nga kryetari i këtij këshilli, Arjan Demiri, mbledhja ka vijuar me një fluks pyetjesh, përmes të cilave këshilltarët e të gjitha krahëve kanë bërë prezente shqetësimet dhe paqartësitë e tyre lidhur me problematikën e realizimit dhe mangësive të buxhetit të vitit të kaluar. Duke folur për tiparet e projektbuxhetit të ri të vitit 2009, kryetari i bashkisë Edmond Gjoka vuri në dukje se ai përfaqëson një shifër mbi 600 milionë lekë, që do të thotë 20 deri 25% më i madh se ai i vitit 2008.

Gjoka tha se arritja më e rëndësishme e këtij viti është se Saranda do të bëhet qyteti i mbajtjes në shtator të Forumit Ekonomik të Kransmontanës, gjë që është interpretuar si tregues i kthimit të Sarandës në një qendër të turizmit në Mesdhe. Ndërkohë, kryebashkiaku Gjoka është ndalur në investimin madhor të strukturimit ndryshe të rrugës hyrëse për në qytetin e turizmit, me vlerë 3 milionë dollarë. Ai është ndalur edhe në temën e ndjeshme të ndriçimit, me vizionin e kalimit nga ndriçim publik me energji elektrike në atë me energji diellore, por është konsideruar se nuk është momenti i duhur për ta bërë këtë, pasi ky kalim kushton sa i gjithë buxheti i bashkisë, ndërkohë që projekti i ndriçimit me këtë teknologji është thënë se do të çlironte 30 milionë lekë. Gjoka tha se, bashkia ka 100 milionë euro projekte të gatshme, për të cilat është shprehur se “lodhemi t’i përmendim të gjitha”. Mes tyre ai ka veçuar qendrën multikulturore në qendër të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›