Rrëfehet Felipe Skolari: Çelsi nuk ka kampionë
Para shkarkimit të ndodhur të hënën, trajneri brazilian i Çelsit, Felipe Skolari, kishte dhënë një intervistë për revistën "France Football", ku bënte të njohura vështirësitë që po haste në "Stamford Bridge". Disa ditë më vonë, pas barazimit në shtëpi ndaj Hull, Skolari do të shkarkohej dhe tashmë fjalët e tij tingëllojnë si një qartësim përfundimtar mbi problemet, që po kalon Çelsi. "Nuk kemi lojtarë në gjendje që të bëjnë diferencën të vetëm, u shpreh Skolari, në ditët e fundit si trajner i ‘Blues‘. Në të kaluarën, ishte (Arjen) Roben, por tani nuk ka më të tillë. Robinjo do të kishte qenë një lojtar i atij tipi, sepse nuk ka frikë të driblojë, të marrë përsipër edhe disa rreziqe. Si brazilian, më pëlqen ky tip lojtari, ndërsa këtu kemi një skuadër burokratësh". Skolari ishte ankuar se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t‘u mësuar futbollin edhe për mungesë të raporteve njerëzore jashtë fushës së lojës. "Nuk i kam njerëzit për të luajtur 4-4-2, është shumë e vështirë të luash me Nikolas Anelka dhe Drogba së bashku. (Salomon) Kalou nuk mbron si duhet për të luajtur në krah me një 4-4-2. Dhe Drogba, pas disa dëmtimesh, ka humbur besimin te vetja". Ashtu si Maluda, që ka mbetur "vetëm një kujtim i vjetër i lojtarit, që dinte të bënte diferencën, kur ishte te Lioni".