E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, forca speciale për të shmangur "sabotimin"

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga fillimi i punës për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës dhe që në shumicën e gjatësisë po merr tashmë formë, në qytetin e Kukësit puna ka ngecur. Shkaqet kanë qenë të shumta, por ato që nuk po kapërcehen dot është prishja e banesave që ndodhen në aks, si dhe shpronësimi i tokës bujqësore të fermerëve. Në gjithë aksin nga Kukësi deri në Morin, 16 km autostradë, ku ka pasur të paktën mbi 80 tituj pronësie dhe ku shteti nuk është treguar korrekt për t‘i shpronësuar, ose për të gjetur zgjidhje tjetër, ecurinë e punimeve është dashur ta sigurojë jo rrallë Policia e Shtetit, madje edhe forcat speciale. Në të paktën dhjetë raste u është dashur pikërisht policëve të ndërhyjë për të zhbllokuar frontin e punës, ku, megjithatë, ka pasur përsëri vonesa që mund të shtyjnë deri në sabotim realizimin e projektit të autostradës, të paktën për afat që ka dhënë më herët vetë qeveria. Gjatë tre viteve, dhjetëra herë forcat e rendit, përfshi ato speciale të dërguara nga Shkodra, kanë vrapuar në terren për të siguruar mbarëvajtjen e punës së kompanive ndërtuese. Vepra në fjalë është shpallur me të drejtë si vepra e shekullit, por, siç po shihet, nuk i është kushtuar vëmendje shpronësimit. Për një kohë të gjatë ka pasur probleme me tokat bujqësore, me lokale të veçanta, banesa, si edhe me të vdekurit, siç ka qenë rasti i fshatit Morin, i cili nuk lejoi që fadromat të shkelin mbi varret e të parëve të tyre. Një situatë e tillë ka qenë pak muaj më herët edhe në fshatin Gostil, për tokat bujqësore, dhe po ashtu edhe në lagjen "Drinas". Të gjitha këto fronte pune janë siguruar me forca policie lokale, si dhe me ato të ndërhyrjes së shpejtë. Por policia nuk ka dashur të konfrontohet me njerëzit, të cilët në të gjitha rastet ka rezultuar se kishin pasur të drejtë. Një banor i fshatit Breglum, lidhur me shpronësimet tregon se shteti përpiqet, përmes supervizorëve t‘ua "hedhë", duke u thënë fshatarëve, "lejojeni firmën të punojë, se shpronësimin mund të fitoni edhe me gjyq". Sipas kësaj logjike, tani që Shqipëria ka hyrë në NATO, ka edhe një forcë më tepër për të siguruar frontin e punës, si dhe një motiv më tepër për t‘u thënë njerëzve: prisni. Ndërkohë, me segmentet që ende nuk kanë filluar, është gati e pamundur që vepra të përfundojë në muajin qershor, në kohën e shpallur nga qeveria si afat përfundimtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›