E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali, klubi më i pasur

Real Madrid është klubi më i pasur në botë. Klubi spanjoll vitin e kaluar ka gjeneruar një shumë superiore prej 400 milionë eurosh në faturën e vet. Këtë raport e ka nxjerrë shoqëria Sports Business Group Deloitte, që merret me buxhetin e klubeve botërore.

Këto shifra i përkasin sezonit 2008-09, që e shohin klubin e presidentit Florentino Perez si kryesues, me faturë të saktë prej 401.4 milionë eurosh, ku përfshihen edhe të drejtat televizive. Sipas Deloitte, që publikoi listën prej 20 klubeve më të pasura të botës, Real e fiton këtë çmim për të pestin vit me radhë.

Në pozitën e dytë gjendet kampioni i botës, Evropës dhe Spanjës, Barcelona, me 365,9 milionë euro, që e kaloi Manchester Unitedin: 327 milionë. Pikërisht skuadra katalunase është ajo që ka përparuar më së shumti, me një rritje gjenerale të të hyrave prej 57 milionë eurosh.

“Real Madrid e Barcelona janë bindshëm përpara konkurrentëve të tjerë evropianë dhe janë në gjendje ta mbrojnë këtë pozitë edhe në të ardhmen, mbi të gjitha nëse funti anglez nuk përforcohet karshi euros”, ka thënë Alan Switzer, drejtor i Sports Business Group të Deloitte.

Në përgjithësi, faturimi i 20 klubeve të para të listës e prek shifrën prej 3,9 miliardë eurosh, falë rezistencës së mirë ndaj krizës ekonomike. Skuadra e parë italiane në këtë listë është Juventus, i teti, që ndiqet nga Interi e Milani.

Sa u përket të drejtave televizive, prijnë sërish Real Madrid dhe Barcelona, që kanë inkasuar më së shumti para në këtë aspekt.

Edhe në paratë e gjeneruara prek shitjes së biletave, prijnë dy skuadrat spanjolle, Real Madrid (101.4 milionë) dhe Barcelona (95.5).

Top 20 ka ndryshuar paksa në krahasim me vitin e kaluar, me inkuadrimin e Werder Bremenit e Manchester Cityt, në vend të Stuttgartit e Fenerbahçes. Klasifikimi i përgjithshëm është dominuar nga skuadrat evropiane, me 7 skuadra angleze, 5 gjermane, 4 italiane, 2 spanjolle e 2 franceze.

Klubet më të pasura në botë
1. Real Madrid 401,4 milionë euro
2. Barcellona 365,9
3. Manchester United 327
4. Bayern Munchen 289,5
5. Arsenal 263
6. Chelsea 242,3
7. Liverpool 217
8. Juventus 203,2
9. Inter 196,5
10. Milan 196,5

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›