E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali nuk ndalet, merr edhe Ronaldon

Real Madridi nuk ndalet më. Pas Kakasë vjen edhe Kristiano Ronaldo. Në fakt, Mançester Junajtid, përmes një komunikate zyrtare në faqen në internet, ka njoftuar se ka pranuar mega-ofertën e madrilenëve prej 94 milionë euro për asin portugez.

"Mançester Junajtid ka marrë një ofertë-rekord prej rreth 80 milionë sterlinash (baras me 94 milionë euro) për Kristiano Ronaldon nga ana e Real Madrid, thotë komunikata e "Red Devils"-ave. Pas kërkesës së Kristianos, i cili shprehu sërish dëshirën për t‘u larguar, dhe pas bisedimeve me përfaqësuesit e lojtarit, Junajtid ka pranuar ta autorizojë Realin të bëjë tratativa me futbollistin. Tratativa duhet të mbyllet brenda 30 qershorit. Klubi nuk do bëjë komente të tjera deri në një zhvillim të ri".

94 milionët e ofruar nga Reali i Madridit për Kristiano Ronaldon do ta shndërronin portugezin në futbollistin më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Rekordet e mëparshme i përkasin gjithmonë Realit të Madridit, që kishte blerë për rreth 69 milionë euro Zinedin Zidanin dhe kishte shpenzuar 68 milionë për Kakanë. Ja 10 blerjet më të shtrenjta: 1) Kristiano Ronaldo (Mançester Utd-Real Madrid, 2009) 93,2 milionë; 2) Zinedin Zidan (Juve-Real Madrid, 2001) 68,8 mln; 3) Kaka (Milan-Real Madrid, 2009) 67,2 mln; 4) Luis Figo (Barcelona-Real Madrid, 2000) 55,8 mln; 5) Hernan Krespo (Parma-Lazio, 2000) 53,6 mln; 6) Robinjo (Real Madrid-Man. Siti, 2008) 51,1 mln; 7) Xhianluixhi Bufon (Parma-Juventus, 2001) 49,2 mln; 8) Kristian Vieri (Lacio-Inter, 1999) 48,3 mln; 9) Dimitar Berbatov (Totenhem-Mançester Utd, 2008) 46,4 mln 10) Andriy Shevçenko (Milan-Çelsi, 2006) 45,3 mln.

Real Madrid konfirmon se i ka prezantuar një ofertë Mançester Junajtid për blerjen e Kristino Ronaldos sipas një komunikate publike në faqen në internet. Reali shpreson të arrijë një marrëveshje me lojtarin në ditët e ardhshme. Komunikata doli pas një mbledhjeje të mbajtur nga drejtuesit e klubit "bianco" në Bernabeu, pavarësisht se në Spanjë ishte ditë feste. Megjithatë ajo nuk specifikon asgjë rreth ofertës.

Problemet fizike të Ronaldos janë më pak të rënda se sa pritej, prandaj ai nuk duhet t‘i nënshtrohet asnjë operacioni, i cili do të mund ta vononte ardhjen e tij në Madrid për të paktën një muaj. Këtë e garantonte dje "AS". Problemet në hernie, që e shqetësonin Ronaldon edhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Portugali 1-2, nuk do të eliminohen me operacion. Prandaj spanjollët presin që lojtari të jetë rikuperohet plotësisht për të nisur fazën përgatitore me madrilenët më 10 korrik. Në këtë datë, talenti luzitan do të duhet të paraqitet së bashku me pjesën tjetër të skuadrës në Madrid, për t‘iu nënshtruar vizitave mjekësore, në prag të ndeshjes në Dublin më 12 korrik. Kjo ditë do të shënojë edhe miqësoren e parë të Realit në këtë verë. Kjo do të jetë ndeshja e debutimit të çiftit të artë Kaka-Kristiano Ronaldo. Reali do të kthehet në Bernabeu për të zhvilluar dy ndeshje për "Peace Cup" (Kupën e paqes): më 26 korrik ndaj Ligës Universitare të Kuitos dhe më 28 kundër Al Itihad, finalja e së cilës mund të fiksohet më 2 gusht. Pastaj, skuadra galaktike do të fillojë turneun veror në Gjermani (5 gusht kundër Borusia Dortmund); Kanada (7 gusht kundër Toronto FC) dhe Uashington (9 gusht kundër DC Junajtid).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›