E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medalistët, 39 mln lekë shpërblim për Evropianin

Vetëm dy muaj pas përfundimit të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të Rritur të zhvilluar në muajin prill në Bukuresht të Rumanisë, tashmë medalistë shqiptarë dhe trajnerët e tyre do të mund t‘i gëzohen marrjes së shpërblimeve të merituara arritjet domethënëse të tyre në këtë turne prestigjioz. Pritja ka marrë fund dje, kur edhe Këshilli e Ministrave ka miratuar vendimin për dhënien 39 milionë lekëve të vjetra për dy prej peshëngritësve shqiptarë, të cilët janë ngjitur në podin e më të mirëve në Evropianin e Rumanisë. Sportistët që do të përfitojnë nga ky vendim janë Romela Begaj, Erkand Qerimaj dhe trajnerët përkatës të tyre. Qeveria është mbledhur mesditën e djeshme dhe mes shumë vendimeve të tjera, ka miratuar "një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2008 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për shpërblimin e disa sportistëve dhe trajnerëve të tyre, që kanë arritur rezultate të larta në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të Rritur", që ka qenë një propozim i vetë MTKRS-së. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave "Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, zëri ‘Projekte‘, artikulli ‘604‘, t‘i shtohet fondi 3 900 000 (tre milionë e nëntëqind mijë lekë të reja), për shpërblimin e disa sportistëve dhe të trajnerëve të tyre, që kanë arritur rezultate të larta në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur". Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ndërkohë që për zbatimin e tij janë ngarkuar MTKRS-ja dhe Ministria e Financave. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Kampionati Evropian i Peshëngritjes në Rumani u mbyll më 12 prill me një bilanc prej dy medaljesh për Shqipërinë: 1 bronzi, që u mor nga Romela Begaj, dhe 1 argjendi nga peshëngritësi i njohur, Erkand Qerimaj. Romela Begaj u shpall Kampione e Evropës në stilin e shkëputjes në peshën 58 kg, ndërkohë që në dygarësh u rendit e 3-ta, duke u mjaftuar vetëm me medalje bronzi. Ndërsa shtangisti 21-vjeçar, Qerimaj, u shpall nënkampion i Evropës në peshën 77 kg, pasi u klasifikua i pari në stilin e shtytjes, duke ngritur 190 kg. Ndërsa në dygarësh, ai mori medaljen e argjendit. Në total, shkodrani ngriti 342 kg, vetëm 2 kg më pak se bjellorusi Mikolai Çarniak, i cili mori titullin e kampionit të Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›