E Shtunë, 31 Tetor 2026

MEDIA SI ARBITER I MUNGUAR I DEBATIT POLITIK

Pasi ke parë debatet politike të mbrëmjes në një kohë të nxehtë elektorale si kjo që po kalojmë, në mëngjes instinkti i parë të çon te hapja e gazetave, jo vetëm si plotësues të asaj që televizioni lë pa thënë, por në rastin shqiptar si një domosdoshmëri për të marrë vesh më shumë nga zallamahia e një nate më parë. Por a po e luan media e shkruar shqiptare si duhet rolin e saj në këtë fushatë? A kemi informacion marramendës dhe nuk dimë ç‘të lexojmë e ç‘të zgjedhim më parë, në një kohë kur jemi vetëm dy javë para ditës së zgjedhjeve?

Në fakt, kështu duhet të ishte, por nuk është. Shtypi të krijon një gjendje apatie, njësoj sikur të jemi në një stinë pushimesh ku asgjë nuk ndodh, asgjë nuk pipëtin. Gjithkush mund të thotë se roli i televizionit është aq i madh sa ka sfumuar gazetat, duke i bërë ato as burim të dorës së dytë të informacionit. Kjo nuk qëndron, sidomos po të kesh parasysh sa çalaman është debati i darkës. Dhe nuk është se kërkohet ndonjë gjë e madhe ose e pamundur nga gazetat. Çekuilibrimi dhe formati i dështuar i debatit politik televiziv, duhet të ishte një shans i madh që gazetat të vraponin të mbushnin boshllëkun e madh që lënë ato në mendjen e opinionit dhe të lexuesve. Madje, ky duhet të ishte shansi i artë ku gazetaria e shkruar duhet të shkëlqente.

Kemi në mbrëmje dy palë, të vëna përballë njëra-tjetrës me synimin për debat, që degradon në kacafytje kakofonike dhe padyshim në shpifje banale tejet personale. Po ashtu, kemi një zhurmim shifrash të llahtarshme, që njëra palë i hedh, tjetra i rrëzon, dhe kështu pingpongu vazhdon deri në mesnatë.

Pikërisht, këtu duhet të hynte gazetaria e vërtetë, quajtur ndryshe "fact check", shqip: kontrolli i faktit. Duhet të fillonte që nga drejtuesit e emisioneve që nuk mund të shkojnë pa përgatitur dhe pa shifrat e tyre në emisione të tilla, sepse në fund të fundit puna e tyre nuk duhet reduktuar thjesht në matës minutash. Kur njëra palë pretendon se ka bërë një rrugë, shkollë a spital në një fshat a qytet të caktuar, dhe pala tjetër thotë të kundërtën, banorët e atij fshati apo asaj zone e dinë mirë si qëndron e vërteta. Mirëpo debati nuk bëhet vetëm për atë pjesë të caktuar të popullatës, por për gjithë shqiptarët, të cilët duan të dinë nëse njëra palë ka punuar apo nëse pala opozitare ka të drejtë kur pretendon të kundërtën.

Për këtë arsye, në mos gjatë emisioneve përkatëse, të paktën të nesërmen, përmes shtypit dhe ekranit, shqiptarët duhet të ballafaqohen me të vërtetën fizike, të objekteve tërësisht fizike, të kapshme prej syrit, aparatit dhe kamerës. Ja një rast i freskët nga debati për Korçën: Bode foli për ujësjellësin e Sheqerasit dhe Blushi tha se ujësjellësi nuk ka ujë. A nuk mund të shkojë kamera ose aparati fotografik, thjesht për të vërtetuar se kush ka të drejtë? Nëse kjo do ishte bërë sistematikisht pas çdo debati, gazetave sot nuk do t‘u mjaftonin faqet, edicionet dhe komentatorët, nuk do t‘u mjaftonte ditë-nata për të vërtetuar dhe komentuar, madje s‘do kishte as vend e kohë për reklamat bombastike të qeverisë, që fillojnë me mahnitjen e Sarkozisë prej Shqipërisë dhe mbarojnë me Obamën kaq krenar po për Shqipërinë. Por në fakt kemi një vagëllimë mediatike, ku çfarëdo që thuhet në mbrëmje, lihet të kalojë në heshtje në mëngjes, e si rrjedhojë debati politik sot në Shqipëri duket fare i pavlerë. Po kështu dhe gazetaria. Roli i gazetarit televiziv sot është reduktuar në pyetjen e panevojshme: Kush fiton? Dhe kaq shumë është ngushtësuar misioni, sa ky lloj debati s‘ka as nevojë për drejtues.

Media, në një fushatë politike, ka rolin e madh jo vetëm të informimit, por mbi të gjitha të monitorimit, të zbardhjes së të vërtetës dhe të shpërndarjes së konfuzionit që shkaktojnë politikanët. Shqiptarët, veçanërisht, shkaktojnë jashtë mase konfuzion. Ata janë të vetmit politikanë në botë që nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie për çfarë nxjerrin nga goja.

Gjatë fushatës së fundit amerikane, çdo televizion, gazetë a blog, menjëherë pas çdo debati kishte ç‘të fliste dhe shkruante. Por veçanërisht minutazhi i quajtur ‘Fact Check‘, ku vërtetohej çfarë thuhej nga politikanët një natë më parë. Kjo shërbeu jo vetëm që njerëzit të merrnin vesh kush fliste të vërtetën, kush ekzagjeronte dhe kush gënjente, por bëri edhe më të përgjegjshëm, edhe më të kujdesshëm politikanët. Madje i bëri ata të kërkonin falje për ndonjë ekzagjerim të mundshëm. Jo për shpifje, kjo as që çohet nëpër mend. Nëse do kishte ndodhur, qoftë dhe njëherë të vetme, ajo që ndodh çdo natë në televizionet e Tiranës, ai politikan që akuzon direkt familjen, burrin a gruan e kundërshtarit, do ta kishte padyshim vendin në gjykatë dhe jo në garën elektorale. Por gjyqin më të madh do t‘ia kishte bërë media, që pa zbardhur.

Sot në Shqipëri, politikanët, veçanërisht të së djathtës, kanë mision të tyre të kësaj fushate jo vetëm gënjeshtrat pa fund për qeverisjen, por ç‘është më e tmerrshme, shpifjet ordinere për kundërshtarët, pa iu dridhur fare qerpiku. Askush nuk u kërkon llogari këtyre politikanëve, askush nuk i çon të nesërmen në prokurori për shpifje, askush nga media nuk investigon dhe zbardh të vërtetën për akuzat që ata hedhin. Në këtë situatë tejet kaotike, ku e vërteta nuk merret vesh mirë se nga qëndron, debati televiziv ka dalë jashtë shinave dhe gazetaria e shkruar e ka humbur fillin.

Media, me të gjitha krahët e saj, ka humbur rolin kryesor për të qenë një arbitër i ndershëm në garën më të rëndësishme të vendit, garë që vjen njëherë në katër vjet dhe nga përfundimi i keq i së cilës do të vuajë gjithë kombi. Mos harroni se në vitin 2005 media u krekos pa masë se luajti një rol të jashtëzakonshëm në largimin e Fatos Nanos dhe risjelljen fatkeqe të Berishës në pushtet. Pak muaj pas kësaj, askush nuk donte ta merrte më përsipër këtë kredi dhe arsyet dihen pse. Sot ajo pjesë profesioniste dhe e ndërgjegjësuar e medias duhet të paktën t‘u lajë borxhin shqiptarëve. Në këtë moment që flasim, nuk është gjëkundi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›