E Diel, 1 Nëntor 2026

Oto Bariç: Yjet portugezë nuk morën frymë në Shqipëri

Sapo është larguar nga Shqipëria, ku ishte i ftuari special i Federatës Shqiptare të Futbollit për ndeshjen me Portugalinë, Oto Bariç, ka folur për paraqitjen e Kombëtares kuqezi. 76-vjeçari, i cili këshilloi institucionin që drejton sportin më popullor në vend për emërimin e Josip Kuzhe, ndodhej në "Qemal Stafa", pas afro dy vjetësh. Hera e fundit kur kishte hyrë në stadiumin më të madh shqiptar, ka qenë 17 nëntori 2007, në ndeshjen e humbur 4-2 me Bjellorusinë. Ndërsa katër ditë më pas, kroati i mirënjohur i dha fund aventurës në stolin kuqezi, pas humbjes turpëruese 6-1 në Rumani. "Ndoqa nga afër ndeshjen me Portugalinë. Isha në stadium me njerëz që i vlerësoj dhe i dua", deklaroi ish-trajneri i përfaqësueses. Sipas Bariç, përfaqësuesja luajti mjaft mirë përballë një prej skuadrave më të mira në kontinent, por në fund ishte e pafat dhe humbi me rezultatin 2-1. "Kuzhe humbi në debutim? Skuadra shqiptare nuk lejoi për asnjë moment që Kristiano Ronaldo, Deko, Pepe apo Almeida të merrnin frymë! Ata ishin thjesht të pafat në sekondat e fundit të sfidës", shtoi "Oto Maksimal". Në fund ai ka folur edhe rreth Kombëtares kroate, e cila renditet e dyta në Grupin 6 eliminator të Botërorit 2010, pas Anglisë. Më 6 qershor, ata barazuan 2-2 në fushën e tyre me Ukrainën dhe tashmë rrezikojnë ta humbasin këtë pozicion. Në gusht Kroacia luan në fushën e Bjellorusisë dhe Bariç ka paralajmëruar skuadrën e Slaven Biliç: "Mund të them se aktualisht bjellorusët janë më të rrezikshëm se Portugalia. Kur drejtoja Shqipërinë ata na mundën 4-2 në fushën tonë. Ata dinë ta qarkullojnë topin dhe janë mjaft të lëvizshëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›