E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standard Liezhi kërkon mbrojtësin Debatik Curri

Shtohet lista e klubeve të interesuara për Debatik Currin. Standard Liezh është skuadra e fundit që futet në garën për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Lajmi bëhet i ditur nga "Extra Football", që theksonte se më në fund, Luçiano D‘Onofrio ka gjetur lojtarin ideal për krahun e majtë të repartit difensiv, për të cilin studionte merkaton që prej muajit janar. Ish-menaxheri, i cili tashmë mban postin e zv/presidentit te Standardi i Liezhit, ka bërë zgjedhjen e tij: Curri është një përforcim i nevojshëm për kampionët në fuqi të Belgjikës. Ai aktivizohet që prej vitit 2005 me Vorskla Poltavan, ku vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën e Ukrainës në finalen kundër Shaktjor Donjeckut dhe pas gjashtë muajsh do të jetë lojtar i lirë. Gjithsesi, drejtuesit e Standardit kanë ndërmend të fillojnë menjëherë bisedimet për transferimin e 25-vjeçarit. Titullari i padiskutueshëm i Kombëtares shqiptare vlerësohet edhe për faktin se mund të aktivizohet në disa pozicione. Në revistën interaktive theksohej se "Curri është lojtari që i përshtatet më së miri imazhit të D‘onofrios: pozicioni i tij natyral është mbrojtësi i krahut të majtë, por ai mund të luajë pa probleme edhe në qendër e në të djathtë të mbrojtjes, apo si mesfushor i majtë".

Ofertat

Paraqitjet e mira në Vyscha Liga me Vorsklan, por edhe në arenën ndërkombëtare me përfaqësuesen kanë bërë që Curri të jetë një prej lojtarëve më të spikatur të Shqipërisë. Përveç lojës një kundër një, mbrojtësi është mjaft i fortë edhe në ajër, ku përfiton nga 192 centimetrat gjatësi. Kjo ka bërë që ai të shënojë 10 gola në 56 ndeshje me skuadrën nga Poltava. Në kampionatet lindore, Curri ka tërhequr vëmendjen e Shaktjorit, fitues i edicionit të fundit të Kupës UEFA, por edhe të disa skuadrave ruse. Ofertat nuk kanë munguar as nga Gjermania, Franca, Turqia apo Rumania. Së fundmi, emri i Currit ishte lidhur me Hamburgun, por drejtuesit e klubit të Bundesligës vendosën të përqendroheshin te shqiptari Mërgim Mavraj, i cili në sezonin e kaluar u aktivizua me Bokum.

Champions

Standard Liezhi nuk do ta kishte aspak problem të paguante 1.5 milionë euro që Vorskla pretendon për kartonin e mbrojtësit kuqezi. Shifra, e cila deri më tani ishte konsideruar shumë e lartë nga mjaft klube të mëdha evropiane, është një shpenzim që klubi duhet ta bëjë për përforcimin e kontingjentit për Ligën e Kampioneve. Në fakt, si fitues të titullit në kampionatin belg (Jupiler League), Standardi do të marrë pjesë direkt në fazën e grupeve në Champions gjatë sezonit të ardhshëm. Nëse vendos të transferohet në Liezh, Curri do të jetë shqiptari më i fundit që luan në aktivitetin elitar për klube, pas Hasit, Canës, Beqajt, Berishës e Gjasulës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›