E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali s’është në formë

Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso pranon se ekipi nuk është në formën më të mirë pas barazimit pa gola me Racing Santanderin të mërkurën, që përcolli humbjen 1-0 nga Levante të dielën. Ndërsa trajneri Jose Mourinho është i brengosur me paraqitjet e skuadrës së tij në udhëtime. Nga Express më 23 shtator 2011 në ora 11:03

Pas barazimit pa gola kundër Racing Santanderit, mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso ka pranuar se ekipi është duke vuajtur të gjejë formën më të mirë. Rezultati shënoi ndeshjen e dytë me radhë në La Liga, ku gjiganti madrilen nuk arriti të shënojë fitore pas humbjes nga Levante javën e kaluar. Por, Alonso beson se Real Madridi ende ka kohë të kthehet nga zhgënjimet e fundit.

“Për momentin nuk jemi në formën tonë më të mirë, por ka kohë për ta ndryshuar. Jemi një grup i futbollistëve të bashkuar, që të gjithë duhet të nisemi në të njëjtin drejtim”, pranoi Alonso. “Ndeshjet tona kundër Racingut dhe Levantes ishin të ndryshme, por të dy kundërshtarët luajtën mirë, ndërsa ne jo. E kishim të vështirë të krijojmë raste për shënim. Futbolli nuk është shkencë, nganjëherë jeni më në formë se të tjerët. Nuk guxojmë të humbim besimin, ky është një vrapim në distancë të largët dhe ka edhe shumë për t’u luajtur”, shtoi ai.

Spanjolli beson se ekipi duhet të kthejë vëmendjen te ndeshja e ardhshme kundër Rayo Vallecanos në Santiago Bernabeu. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të fitojmë të shtunën. Rayo është një kundërshtar i vështirë dhe nuk guxojmë të bëjmë gabime tjera”, përfundoi ai. Real Madridi është aktualisht në pozitën e shtatë në La Liga, me vetëm shtatë pikë nga katër ndeshjet e para. Trajneri Jose Mourinho ka pranuar se është i brengosur për formën e dobët të ekipit në ndeshjet në udhëtim. “Në fund janë pikët ato që vlejnë”, tha ai gjatë konferencës për shtyp.

“Ne kemi humbur pesë ndeshje në udhëtim. Është për t’u brengosur, po. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë. Por, në të dytën dominuam mesfushën e kundërshtarit, nuk krijuam shumë raste për shënim, por dominuam plotësisht në 30 minutat e fundit. Duhet të urojmë Racingun, ata luajtën shumë mirë në mbrojtje. Pavarësisht përpjekjeve tona, nuk kishim dinamizmin e nevojshëm pasi ritmi vazhdonte të binte falë pasivitetit të atyre që e lanë të bie”, shtoi strategu portugez. Mourinho ishte kritik ndaj asaj që besoi se ishte taktikë për të humbur kohë nga ekipi vendas.

“Ritmi binte për shkak të simulimeve, lëndimeve, hyrjes së barelës në fushë e të tjera. Ne jemi përgjegjës për këtë sepse dështuam t’i japim një fund. Përqendrimi ynë ishte më i mirë për dallim nga e diela dhe kam ndjenjë përgjithësisht të ndryshme rreth këtij takimi”, përfundoi Mourinho. Reali ka dështuar të shënojë gol në dy ndeshjet e tij të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›