Jovanoviç ia sheh sherrin Kosovës

Futbollisti serb, Milan Jovanoviç mund të dënohet me pesë vite suspendim nga futbolli. Këtë sanksion ai mund ta pësojë për shkak të Kosovës. Jovanoviç aktualisht luan në Belgjikë për Anderlechtin, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të verës nga gjiganti anglez Liverpool.
Në ndeshjen derbi të Belgjikës, të zhvilluar para tri javësh mes Bruggit dhe Anderlechtit, reprezentuesi serb ishte në qendër të provokimeve të tifozëve vendas, të cilët brohorisnin ‘Kosovo, Kosovo...’ sa herë që topi ishte në këmbët e tij.
Mirëpo, ky i fundit ishte realizuesi i golit të barazimit për rezultatin 1-1 dhe atë e festoi me një sjellje të pamenduar, duke vrapuar në drejtim të tifozëve të Brugge dhe bëhej kinse po i gjuante ata me automatikë.
Kjo sjellje e Jovanoviçit ngjalli reagime të shumta në Belgjikë. Madje, me sjelljen e tij po merret Ministria e Punëve të Brendshme e këtij shteti. Sipas këtij institucioni, serbi e ka shkelur nenin 23 të ligjit për nxitje të urrejtjes. Andaj, mediat belge raportojnë se Jovanoviç mund të dënohet me më së paku tre muaj dhe më së shumti pesë vite moslojë. Në rast të dënimit maksimal, karriera e tij në Belgjikë do të konsiderohet e përfunduar duke llogaritur moshën e tij - 30 vjeç. Ai po ashtu rrezikon të gjobitet me 250 deri në 5000 euro. Jovanoviç është munduar të arsyetojë sjelljen e tij duke thënë se ishte provokuar vazhdimisht nga tifozët e Brugge.
Në pyetjen e televizionit belg VTM se çka ndjeu pas golit, ai tha: “Tani jam i qetë. Kam respekt për klubin e Brugge dhe tifozët e tij, por ata më ngacmuam me mesazh ofendues dhe jo korrekt përgjatë gjithë 90 minutave të lojës. Nuk jam budalla, unë dëgjoj. Ata duhet të jenë të gatshëm të pranojnë reagimin tim”.