E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet kampionati ?

Fillimi i edicionit të ri në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll, i paraparë të fillonte më 1 dhe 2 tetor, sipas të gjitha gjasave, do të shtyhet për një javë. Këtë kërkesë krerët e klubeve ia bënë të enjten kryetarit të FBK-së, Fatmir Gashit, me arsyetimin se ekipet e tyre nuk janë përgatitur sa duhet. Gashi dha indikacione që kjo kërkesë do të miratohet. Nga Valon Konushevci më 23 shtator 2011 në ora 13:05

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet, sipas të gjitha gjasave, do të shtyhet fillimi i edicioni i ri në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll. Në fakt, sezoni i ri ishte paraparë të niste më 1 dhe 2 tetor. Por, shumica e klubeve të Superligës kanë kërkuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) që stinori kampionati i ri të nisë më 8 dhe 9 tetor.

Këtë kërkesë krerët e klubeve ia bënë të enjten kryetarit të FBK-së, Fatmir Gashi dhe sekretarit Nazmi Paçarada, gjatë një takimi të përbashkët që patën, në të cilin palët qanë hallet e njëra-tjetrës e që në fakt nuk ishin të pakta.

Shkaku i procesit të zvarritur të punimeve nëpër palestrat e Kosovës, përfaqësuesit e klubeve njoftuan se lojtarët e tyre nuk janë përgatitur sa duhet për t’ia filluar kampionatit të ri. Andaj, sipas tyre, është e nevojshme që fillimi i stinorit të ri të shtyhet të paktën për një javë, në mënyrë që ekipet të stërviten akoma më shumë, sepse në të kundërtën, ata frikësoheshin se lojtarët e tyre mund të pësojnë më pas lëndime të shpeshta dhe të rënda.

Kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi, i njohu krerët e klubeve se kërkesa e tyre do të shqyrtohet në mbledhjen e bordit të shtëpisë së basketbollit kosovar, e cila mbahet të hënën e ardhshme. Ai e pa të arsyeshme këtë kërkesë të përfaqësuesve të klubeve, duke dhënë shenja kështu se bordi, sipas të gjitha gjasave, do ta shtyjë nisjen e sezonit të ri.

Gashi dëgjoi nga afër telashet me të cilat po ballafaqohen klubet e elitës nga vetë përfaqësuesit e tyre. Këta të fundit ripërsëritën se kriza financiare dhe anashkalimi që, sipas tyre, po u bëhet nga kuvendet komunale përkatëse po u shkaktojnë më së shumti telashe. Kishte të atillë që përmendën faktin se nuk po u jepet hapësirë e mjaftueshme as sa për të stërvitur sa duhet nëpër palestrat e qyteteve të tyre. Gashi u premtoi atyre mbështetjen e plotë të FBK-së për t’i kaluar këto sfida.

Ndërkohë, u tërhoq shorti për edicionin e ri, i cili pritet të nisë më 8 dhe 9 tetor. Xhiroja e parë fillon me derbin mes Trepçës e Bashkimit, kurse klubi i posa-themeluar Prishtina BC me bërthamën e ekipit të shuar KB Prishtinës do të luajë ndaj Pejës.

Bambi kërcënon me largim

Sikurse herëve të kaluara, edhe në këtë takim kryetari i klubit serb nga veriu i Mitrovicës, Bambit, Igor Dashiq e paralajmëroi kreun e FBK-së, Fatmir Gashin se gjasat janë të mëdha që skuadra e tij të mos i nisë fare garat e edicionit të ri. Sipas tij, përveç krizës së madhe financiare, lojtarët e ekipit të tij, shumica prej të cilëve jetojnë në Serbi, ndihen të pasigurt për faktin se po luajnë në një ligë të Republikës së Kosovës, pavarësia e të cilës kundërshtohet fort nga bashkëkombësit e tij. “Andaj pjesëmarrja jonë do të jetë në pikëpyetje të madhe”, ka thënë ai.

Mirëpo, Gashi i ka sugjeruar Dashiqit të mos merr vendim të ngutshëm për tërheqje nga BKT-Superliga. “Për FBK-në të gjitha klubet janë të barabarta. Probleme të mëdha financiare, sikurse Bambi, kanë edhe ekipet tjera. Por, nëse nuk tërhiqeni, atëherë mbesin të gjalla shpresat për të ardhur ditë më të mira për klubin tuaj. Por, shpresat vdesin nëse ju nuk i nisni garat”, i ka sugjeruar Gashi Dashiqit.

Kolegji Universi për pakë sa nuk u shua, sherri i Prishtinës BC

Përfaqësuesi i Kolegjit Universi, Islam Havolli e njoftoi kryetarin e FBK-së, Fatmir Gashin, se klubi i tij mezi i kishte shpëtuar shuarjes. Atij i kishte mbetur hatri në Prishtinën BC, e cila, sipas tij, ia kishte grabitur dy trajnerët me shumicën e lojtarëve të ekipit të tij. “Ibrahim Karabegu e Albert Sylejmani e shkelën marrëveshjen dhe me gjithë lojtarët kaluan te Prishtina. Kurse Prishtina as që më ka telefonuar rreth rastit, edhe pse ata lojtarë ishin rritur në ekipin tim. Kështu, klubi ishte pranë shuarjes, por me disa dashamirë të basketbollit ia dolëm t’i mbledhim disa djem dhe ia dolëm të mbijetojmë”, tha Havolli.

BKT-Superliga - Xhiroja e parë:
Trepça – Bashkimi
K. Universi – Bambi
Kosova – Drita
Prishtina BC - Peja

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›