Prapë nuk shpallet fituesi

Tashmë është bërë ‘bozë’ çështja e shpalljes së fituesit, i cili do të fitojë të drejtat televizive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll. Udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe zyrtarët e klubeve të Superligës nuk po ia dalin ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta shpallur fituesin nga tre konkurrues sa janë.
Të enjten, për herë të dytë, përfaqësuesit e klubeve dhe ata të FFK-së ishin mbledhur për ta shpallur përfundimisht fituesin, por nuk e bënë këtë me arsyetimin se ofertat e mara nga shtëpitë mediale nuk janë aq sa duhet të qarta.
“Ne u kemi sugjeruar klubeve t’i analizojnë mirë ofertat para se ta bëjnë përzgjedhjen, sepse ato janë përfituese e jo Federata. Klubet u bindën se ofertat nuk janë fort të qarta. Gjitha klubet kanë zgjedhur tre përfaqësues, Remzi Ejupin e Prishtinës, Istref Klinakun e KEK-ut dhe Veton Çitakun e Trepçës ‘89 që të premten bashkë me zyrtarë të FFK-së ta zhvillojmë një takim me tre përfaqësues të ofertuesve për të marrë sqarime nga ta rreth ofertave që i kanë bë”, tha Salihu i cili beson se të premten përfundimisht do të shpallet fituesi. “Pasi t’i marrim sqarimet, besoj se menjëherë do ta shpallim fituesin dhe mos të zvarritet më kjo çështje. Sepse në të kundërtën, duhet shkuar në ritenderim shtatëditor”, u shpreh ai.
Në fakt, për ta fituar këtë të drejtë kishin aplikuar pesë shtëpi mediale, derisa Digitalb, DigiWorks dhe KosovaPress janë kualifikuar në konkurrencën e ngushtë. Digitalb është më së afërmi të shpallet fitues, pasi oferta e tij është më joshëse për dallim prej asaj të DigiWorks dhe KosovaPress.
Kjo e fundit kishte ofruar 77 mijë euro, derisa DigiWorks me ofertën serioze arriti shumën prej 86 mijë euro, por me TVSH. Sipas burimeve, më joshëse duket të jetë oferta e Digitalb, e ofruar në tri variante. Por, varianti më i mirë ishte ky: Transmetim live i tri ndeshjeve në javë, transmetime satelitore dhe tokësore, ato kabllore dhe IPTV.
Oferta financiare për variantin e parë është 80 mijë euro, pa TVSH. Përveç ofertës financiare, Digitalb ka ofruar mundësinë e promovimit të Superligës së Kosovës në kanalet e platformës Digitalb nëpërmjet transmetimit të spoteve televizive në vlerë prej rreth 50 mijë eurosh.
Madje, Digitalb ka ofruar mundësinë edhe të organizimit të një turneu miqësor në kuadrin e promovimit të ligës ndërmjet dy skuadrave nga Superliga e Kosovës dhe dy skuadrave nga Superliga shqiptare. Shumë përfaqësues të klubeve të mërkurën i kishin thënë Express-it se oferta e Digitalbit u pëlqen më së shumti.