E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali shkarkon Valdanon, tjetër triumf i Murinjos

Më në fund Zhoze Murinjo ka fituar. Beteja me Horge Valdanon ka përfunduar me fitoren e trajnerit portugez, pasi klubi i Realit të Madridit ka vendosur të shkarkojë nga detyra argjentinasin. Pas një sezoni, ku Murinjo ka patur polemika të vazhdueshme me Valdanon, presidenti Florentino Perez mbajti krahun e trajnerit, në lidhje me sfidën për pushtet në “Bernabeu”.

 “E kam të vështirë ta shpreh sesa e dhimbshme është për mua të ndahem nga Valdano, - deklaroi presidenti Florentino Perez para mediave, në fund të një takimi me bordin drejtues të klubit. – Vendosëm që detyrat drejtuese të jenë më shumë të përfshira me ato sportive”, tha numri 1 i klubit madrilen. Valdano ka luajtur edhe rolin e një zëdhënësi klubi në momentet e situatave të vështira, por Perez pranoi se kjo detyrë tani e tutje do të ushtrohet nga Murinjo.

Ky i fundit u bë armiku kryesor i argjentinasit, sidomos pasi ai e kritikoi në televizion për lënien në stol të Benzema në ndeshjen gjysmëfinale të Champions League ndaj Barcelonës. Horge Valdano ka qenë prej vitesh krahu i djathtë i Florentino Perez, duke përfaqësuar realisht klubin madrilen. I pyetur për shkarkimin, argjentinasi Valdano komentoi. “E pata thënë prej kohësh që nuk do të largohesha dhe nuk do të jepja dorëheqjen, por sot jemi përpara një skenari të ri. Nëse Reali i Madridit dëshiron të ristrukturojë klubin dhe ta shkurtojë pozicionin tim, atëherë ky është vendim i klubit dhe jo i imi”, deklaroi fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986.
(e.m/A.Latifi/BAlkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›