E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali thyen bunkerin Apoel, gjysmëfinalet janë më afër

NICOSIA- Reali i Madridit dhe Çelsi kanë bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Champions League, duke fituar sfidat e tyre në transfertë, respektivisht ndaj Apoel Nikozias dhe Benfikës. Në Qipro, madrilenët e Zhoze Murinjos kanë triumfuar 3-0, por megjithë shifrat e pastra, fitorja nuk ka qenë aspak e lehtë. Apoeli ka qëndruar i mbyllur në mbrojtje përgjatë gjithë kohës, duke mos lënë asnjë hapësirë për “galaktikët”, të cilët zbrisnin në fushë pa Ksabi Alonson. Por, ndaj një ekipi që ka në përbërje futbollistë të një klasi botëror dhe të superpaguar, nuk është e lehtë të rezistosh në këtë mënyrë përgjatë gjithë takimit edhe pse Benzema mund t’i kishte thjeshtuar gjërat nëse do të shënonte me portën bosh në pjesën e parë. Të mbështetur nga një tifozeri e zjarrtë, qipriotët janë treguar heronj për 74 minuta, por më pas, klasi i madrilenëve ka bërë diferencën. Në fillim ishte Karim Benzema ai që mposhti portierin Çiotis, pas një krosi të Rikardo Kaka, të cilin francezi e devijoi saktë në rrjetë me kokë. Më pas, ndeshja ka qenë praktikisht e mbyllur, pasi vendasit kanë qenë të pafuqishëm për të reaguar. Kaka arriti të realizonte edhe golin e dytë, pas një asisti të bukur të Marselos në zonë, ndërkohë që në fundin e ndeshjes, ishte Benzema ai që mbylli llogaritë, me një tjetër gol. Fitorja bën që skuadra e Murinjos ta presë e qetë ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu” edhe pse askush nuk kishte dyshime se Reali do të arrinte të kualifikohej ndaj një ekipi kaq modest. Përpos disfatës, tifozët qipriotë në fund kanë festuar, pasi vajtja e skuadrës së tyre deri në çerekfinale, përbën një arritje historike.

ÇELSI
Nëse fitorja e Realit ishte e pritshme, ndryshe ndodhi me Çelsin. Blutë e Londrës mundën të fitonin 1-0 në stadiumin “Da Luz” të Benfikës, falë një goli të realizuar nga Salomon Kalu çerek ore përpara fundit. Përpos kësaj, Benfika duhet thënë se e ka dominuar ndeshjen dhe ka qenë shpesh pranë golit, por Oskar Kardozo, Nolito e Gaitan, kanë qenë të pasaktë. Portugezët kanë sulmuar papushim, duke krijuar raste të shumta dhe duke mos menduar shumë për mbrojtjen. Por, në fillimin e pjesës së dytë, blutë dhanë sinjalin e parë se nuk kishin shkuar vetëm për t’u mbrojtur në Lisbonë. Në fillim ishte Huan Mata, që pasi shmangu portieri, goditi shtyllën pingule. Në minutën e 75-të, Fernando Torres fut një top në zonë për Salomon Kalu, që e shtyn atë në rrjetë. Benfika nuk është dorëzuar as pas kësaj, duke u hedhur e tëra në sulm, por duke lënë edhe hapësira të mëdha mbrapa. Mata mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, ndërkohë që vendasit, megjithë dëshirën e madhe, nuk kanë arritur ta vendosin seriozisht në rrezik Petr Çeh.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›