Ajdarevic synon Kombëtaren

Astrit Ajdarevic i ka bërë planet për vitin 2012. Me paraqitje të mira me Norrkopingun, mesfushori kosovar synon ta fitojë një vend edhe në përfaqësuesen e Suedisë.
21 vjeçari ia ka dhënë një shenjë selektorit Erik Hamren, i cili nuk e ka pasur parasysh në të kaluarën. “Do ta jap më të mirën për ta fituar një vend në Kombëtare”, ka thënë Ajdarevic për ueb faqen expressen.se.
Sezoni i ri në kampionatin suedez të futbollit Allsvenskan do të fillojë javën e ardhshme, ndërsa ish futbollisti i Orebros pret sezon pozitiv, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë ekipor. “Do t’i shënoj 10 gola, kam vënë bast për këtë”, shtoi ai.
Për momentin ai është i koncentruar në ekipin aktual, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të transferohet në një kampionat më të fortë.
“Nuk e di. Unë i shikoj gjërat aktuale dhe dëshiroj të përmirësohem në të gjitha aspektet. Më pas, nëse arrin ndonjë ofertë këtë vit, vitin tjetër apo pas dhjetë vjetësh, do të shohim”, vijoi Ajdarevic.
Ndërkohë, trajneri i Norrkopingut, Janne Andersson, sheh potencial të madh tek mesfushori shpresëdhënës për t’i arritur objektivat e ekipit.
“Astriti është një lojtar premtues. Me ardhjen e tij, skuadra është përforcuar dhe ai është i vendosur që ta japë kontributin e tij. Si ai, ashtu edhe skuadra, do të kenë një hap përpara këtë sezon”, tha trajneri suedez.