E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajern dhe Atletiko, thirrja e fundit, të detyruar të fitojnë

Në Champions ka ardhur koha e llogarive, të cilat janë të rëndësishme, por jo vendimtare. Në ndeshjet e kthimit në grupet e aktivitetit më prestigjioz për klube, disa emra të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare janë nën presion: Bajerni i Mynihut dhe Atletiko i Madridit kryesojnë listën. Takimet e sotme mund të shërbejnë për të bërë kthesën e shumëpritur, sepse një dështim do të bënte që eliminimi të ishte më pranë. Në Grupin A, i rrezikuar është Bajerni: bavarezët presin francezët e Bordosë, që fituan në ndeshjen e mëparshme, madje duke humbur edhe dy penallti. Me vetëm 4 pikë në klasifikim, skuadra e Van Gal është e detyruar të fitojë. Prej një muaji, Bajernit i mungon Riberi, për shkak të dëmtimit në gju, por në "Alianz Arena" nuk është i sigurt as aktivizimi i Roben. Të gatshëm nuk janë edhe Oliç e Breno. Në Grupin D, Atletiko i Madridit ka shansin të mbajë gjallë shpresat për kualifikim, vetëm nëse fiton ndaj Çelsit. Blutë e Ançelotit mund të kënaqen me një barazim për t‘u kualifikuar. Shenja "x" në këtë ndeshje, e kombinuar me fitoren e Portos në Nikosia me APOELIN, do të kualifikonte edhe portugezët. Gjithashtu, edhe Mançester Junajtid mund të kualifikohet në Grupin B me një fitore në "Olld Traford" përballë CSKA-së së Moskës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›