“Banda e Durrësit”, vendime të ndryshme nga gjykata për të njëjtën recetë mjekësore
Recetat apo raportet mjekësore janë shndërruar në objekt përplasjesh dhe vendimesh të ndryshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dy vendime të ndryshme për të njëjtën recetë mjekësore, e cila nuk iu pranua avokatit të të pandehurit Indrit Taullaj, Riza Hicka, ndërsa e njëjta e paraqitur gjatë seancës për sekuestrimin e pasurive të të pandehurit Lulëzim Berisha u pranua dhe seanca u shty prej kësaj recete, e cila i vërtetonte gjykatës së ishte i sëmurë. Gjyqi i “Bandës së Durrësit” ka qenë sërish i destinuar dje për t’u shtyrë, pasi prania e avokatit Hicka ishte e domosdoshme, për shkak të faktit se klienti i tij nuk paraqitet në seancë, duke kërkuar të gjykohet në mungesë dhe të përfaqësohet nga avokati i tij. Është e 42-ta seancë që shtyhet për mungesë avokatësh, duke e detyruar trupin gjykues t’i drejtohet sërish Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për të marrë masa kundrejt avokatëve që bëhen pengesë për ecurinë e gjyqit. Gjithashtu, kryesuesi i trupit gjykues i kërkoi organit të akuzës të shohë gjendjen shëndetësore të të pandehurit Kujtim Buna, për të cilin avokati ngriti pretendimin se është i sëmurë nga një infeksion i rëndë në vesh, për shkak të plagosjes nga i penduari Adriatik Coli.
Miqësia Dokle-Berisha
Armiq të betuar, që prej disa muajsh janë kthyer në miq. Akuzohen se kanë paguar mijëra euro për të eliminuar njëri-tjetrin. Por, kur i sheh të dy të ulur pranë njëri-tjetrit, duke qeshur dhe biseduar mes tyre, krijon bindjen se Lulëzim Berisha dhe Indrit Dokle janë kthyer në miqësinë e dikurshme. Por, nga sa thuhet nën zë apo dhe me veprimet e tyre gjatë këtyre seancave, duket se i ka kthyer objektivi i përbashkët, shtyrja sa të jetë e mundur e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli, e cila i fundos të dy krerët e bandës me anëtarët e saj. E njëjta situatë është përcjellë edhe gjatë seancës së djeshme nga dy të pandehurit kryesorë të kësaj bande. Kokë më kokë me njëri-tjetrin, krejt ndryshe nga seancat e muajve të parë. Qeshnin dhe bisedonin mbi mënyrat që duhet të gjenin për të shtyrë sa të jetë e mundur këtë gjyq, me qëllim që të mos arrihet deri në deklarimet në sallën e gjyqit nga i penduari Coli. Ka qenë pikërisht kërkesa e prokurorit të çështjes, Anton Martini, nisja me dëshminë e të penduarit Coli, që ka kthyer në miq dy armiqtë e betuar. Më e dukshme tashmë, disi më e fshehtë muaj më parë, kur ra në sy komunikimi i parë miqësor mes Berishës dhe Dokles. Megjithatë, 30 minutat e para të seancës së djeshme nuk kanë shërbyer për ecurinë e këtij procesi, i cili u shty si seancat e mëparshme, por për t’u dhënë mundësinë dy krerëve të së njëjtës bandë që të gjejnë mënyrat për të vazhduar me dështimin e këtij procesi gjyqësor.
Detaj
42 seanca të shtyra për “Bandën e Durrësit”, për shkak të mungesës së avokatëve, qysh prej fillimit të këtij procesi gjyqësor