E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelë pa kauzë

Të flasësh për ndryshimet e fundit kushtetuese këto ditët e fundit është si të blasfemosh në kishë: të hidhen përsipër një masë e madhe ulëritësisht, që të bërtasin për sakrilegj, nëse guxon e kërkon të japësh një opinion të ndryshëm nga i tyri. Ka nga ata që kanë argumente të qëndisura mirë e që të bëjnë të tundësh kokën me miratim, nëse flet teorikisht e abstragon prej realitetit dhe kontekstit real shqiptar, që sërish ilustron postulatin se "këtu gjërat ndodhin mbrapsht". Eja e merre vesh! Ǒpopull interesant paskemi qenë.

Nganjëherë betejat bëhen për të siguruar veten e të tjerët se ke forcë të madhe argumenti (apo interes vetjak?) e jo për të mirën e kauzës. Ka madje nga ata, të cilët prej frikës se mos pozicionohen, bëhen kundër të gjithëve e gjithçkaje, a thua se të kesh opinione pro njërës palë, të bën detyrimisht aleat me të e kundërshtar me tjetrën. Ka dhe nga ata që si pasojë e së njëjtës frikë krijojnë aleanca me persona e forca të gabuara, duke harruar se ideali i disave (qoftë dhe krejt i pastër) instrumentalizohet nga të tjerë për të shkuar më afër qëllimit: jo mbrojtjes së kauzës, por përfitimit vetjak në numra. Kurajoja dhe vendosmëria janë ndoshta përbërësi që i mungon më tepër intelektualit të sotëm shqiptar.

Teoria juridiko-politike do të thoshte se sistemi proporcional është po aq i drejtë apo i padrejtë sa edhe mazhoritari. Sepse që diskutimi të jetë i shëndoshë, duhen marrë parasysh të dhënat reale dhe konteksti i përgjithshëm politik i një vendi. Teoria do të thoshte se është pikërisht sistemi zgjedhor mazhoritar ai që krijon qeveri të qëndrueshme dhe sistem dypartiak, por sikurse gjithçka tjetër, ne kemi arritur ta komprometojmë edhe vetë sistemin, duke krijuar atë që ne e quajmë ‘Dushk‘ e që Gjermania e quan sistem zgjedhor miks shumëvjeçar që prodhon demokraci (andej, jo këndej). Të qartë lidhur me këtë veti tipike tonën, ndërkombëtarët jo më kot kërkuan një sistem votimi i cili është sa më i thjeshtë për zgjedhësin. Në fakt, sistemi proporcional rajonal ka cilësinë se ‘peshon‘ drejt të gjitha partitë politike, jo duke dëmtuar partitë e vogla, por duke dekurajuar presionin e partive ‘virtuale‘, pra të atyre të cilat ekzistojnë vetëm sepse ‘x‘ apo ‘y‘ i fortë i lagjes ka pasur para mjaftueshëm për të blerë (literalisht) votat e zonës së vet e të hyjë kështu në arenën e më të mençurve (presupozohet), pra në Parlament. Sepse në kushtet e sotme janë këta soje individësh interesantë të cilët pasi ngrohin karrigen, papritur nisin e harrojnë se janë votuar nën një emër partie dhe disa parimesh politike, e fillojnë e bëjnë gavetën prej një grupimi politik në një tjetër, në varësi të përfitimeve në lojë. Ka në fakt arsye objektive pse shëndetësia, arsimi e mjedisi janë fusha me përparim kaq mrekullues në Shqipëri. Nëpërmjet sistemit të ri këta ‘gjenerues individualë tensionesh zgjedhore‘ demotivohen natyrshëm. S‘do shumë mend që kjo reformë ka prodhuar ca fytyra të vrerosura.

Sistemi proporcional rajonal nuk krijon në vetvete sistem bipartiak bipartizan, duke eliminuar partitë e vogla. Përkundrazi, partitë me përfaqësim të vërtetë ai i ndihmon, duke i lejuar të përfaqësohen në zona ku do ta kishin të pamundur të fitonin ndonjë karrige parlamentare prej një sistemi mazhoritar. Ama po, është e vërtetë, partitë inekzistente trafikuese të influencës i eliminon, se është ca e vështirë të kesh para dhe të trafikosh mjaftueshëm influencë sa për të tërhequr votues zonash, tashmë dhjetë apo njëzetë herë më të mëdha. Nuk njoh një shqiptar të vetëm (përveç atyre që kanë konflikt interesi) që të thotë se të pasurit pesëdhjetë parti në tre milionë banorë popullsi është një gjë e mirë. Nëse do të duhej të përfaqësonim secilin fraksion e rrymë mendimi në Shqipëri, do të duhej të kishim nga një parti për secilin banor, tri milionë parti, madje më shumë se tri milionë, sepse ka nga ata që kanë njëkohësisht dy mendime të ndryshme për të njëjtin fenomen. Qartë.

E çka është më e rëndësishmja, sistemi proporcional rajonal zhduk iluzionin e diferencave veri-jug, perceptimin e një Shqipërie të ndarë më dysh, ngjyrosur sipër në blu e poshtë në të kuq. Më në fund, Bjeshkët do të na sjellin deputetë të majtë e Joni të djathtë. Është mirë për Shqipërinë dhe kauzën madhore të cilën dushkistët dhe e harrojnë: emancipimin e zhvillimin e vendit, kapërcimin përtej interesave të njerëzve të veckël dhe promovimin e programeve kombëtare. Ca prej nesh janë të ndjeshëm ndaj të tillash vlera.

Pyes veten se cila është kauza e vërtetë e atyre që prej kaq shumë kohësh tashmë vazhdojnë të ulërasin e hedhin baltë mbi reformën e fundit. Është ironike, sepse janë pikërisht ato grimca partish që prej dekadash bërtasin për bashkëpunime e kompromise politike të nevojshme për zhvillimin e vendit, që tani ulërasin për tradhti. Sigurisht, nëse do të më duhej të bëja një analogji, në Bashkimin Evropian vendimet e mëdha për të mirën e tregut të përbashkët i marrin Britania e Madhe, Franca e Gjermania (bie fjala) e jo Qipro me Slloveninë (bie fjala). A u lënduan ndopak votuesit e këtyre mini-mini partive që prodhojnë ministra bling-bling? Apo të lënduarit janë vetëm këta të fundit, të cilët, domosdo, s‘kanë shumë qejf të humbasin terren politik? Cila është kauza e vërtetë e këtij ‘rebelimi‘? Vërtet vendosja e një sistemi të gabuar, apo frika e pastër se më së fundmi do të kemi një sistem të drejtë i cili do të pasqyrojë qartë forcat politike në vend? A na intereson shumë, neve, votuesve se do të zhduken një tufë partish të cilat as të bëra bashkë nuk bëjnë një grusht? A u ndje ndokush, ndonjëherë, i përfaqësuar prej tyre? Apo kauza e vetme ishte gjithmonë dhe ekskluzivisht personale?

Këta individë u përngjasojnë atyre insekteve të fjetura që bëjnë folenë e ushqehen me pleshta mbi lëkurën e rinocerontëve, e që u pëlqen të asistojnë në pleshtizimin e lëkurës së kafshës, duke gjykuar si krejtësisht të papërshtatshme cilëndo ambicie për ta kërkuar ushqimin vetë. Pastaj, një ditë të bukur, nën këtë përtaci të zgjatur, rinoceronti zhytet thellë nën ujë të shpëlajë pak zhulin, dhe të gjorat insekte zbulojnë se krahët ndërkohë u janë tharë dhe se evoluimi e ka gjykuar të papërshtatshme t‘u adaptojë mushkëritë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›