E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendrat e mëdha, aty ku njerëzit banojnë, por nuk jetojnë

Popullsia e Tiranës sot mund të pranojë në mënyrë unanime se metropoli i tyre tashmë nuk është më kryeqyteti i kioskave dhe kjo është realizuar falë iniciativës së qeverisë së viteve 1999-‘01. Me mbështetje logjistike e financiare u arrit që Tirana të pastrohej një herë e mirë nga kërpudhat që kishin mbirë jo vetëm në kryeqytetin e vendit, por në gjithë Shqipërinë. Duhet t‘u kujtojmë atyre që e kanë harruar se edhe autoveturat "humbnin" në gropat e pellgjet e krijuara në vitet 1991 e në vazhdim. Në pamje të parë mund të thuhet se Tirana sot qesh më shumë se më parë, shkëlqen, por këtë pamje artificialisht kryeqytetit tonë ia jep "euforia", "entuziazmi" dhe vetëkënaqësia shpirtërore e atyre që më në fund ia mbërritën ditës për të shijuar bukurinë e kryeqytetit të tyre, pavarësisht nga vendosja në mënyrë të pakontrolluar. Njëzëri mund të shprehemi se Tirana është "zhvilluar" duke u masakruar, kjo pasi kujtojmë se në vitet ‘90-të shtrirja e saj ishte jo më shumë se nga Kinostudio deri tek ish-Uzina "Enver" dhe nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja deri te "Zogu i Zi". Pas vitit 1992, Tirana humbi të drejtën e të qenit një kryeqytet me urbanizim bashkëkohor. Në këtë drejtim nuk u punua jo mirë, pasi gjithçka iu la rastësisë, spontanitetit dhe ishte kjo me pasoja jo të vogla për shëndetin njerëzor, të pariparueshme në disa momente për mbarë shoqërinë shqiptare, e cila sot vuan atë që shkatërroi vetë me dorën e saj.

Duket që banorët janë të përjashtuar nga qyteti ku jetojnë dhe për më tepër ata trajtohen si të huaj në qytetin e tyre, pasi nuk u merret mendimi për asgjë. Le të ndalemi edhe më konkretisht. Askush nuk di të më japë një përgjigje rreth faktit se ku shkuan sipërfaqet e gjelbra në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë, apo dhe se çfarë ndodhi me dhjetëra terrene sportive ku dikur argëtoheshin banorët. Le të më thotë dikush se ku vajtën lulishtet e lagjeve ku dikur çlodheshin qytetarët dhe pse në lejet e miratuara për ndërtim mungojnë parkingjet, hapësirat publike ku mund të luajnë fëmijët. Dua të evidentoj faktin se edhe Parku i "Madh" i Tiranës po zvogëlohet dhe po ashtu sot kemi më pak institucione kulturore dhe argëtuese (Tirana ka vetëm një kinema dhe ajo s‘është e saktë). Metropolit tonë i mungojnë banjat publike, por ato të tipit "gratis" të burrave që urinojnë "sipas traditës" poshtë urave të Lanës dhe mbrapa qosheve të pallateve. I mungojnë parkingjet publike për automjetet. Nuk e di pse mashtrojmë në mënyrë kaq të paskrupull veten, shoqërinë, fëmijët, miqtë, mysafirët apo dhe ata që kanë ndërmend ta vizitojnë Shqipërinë. Paradoks është se ankohemi për mungesën e ujit të pijshëm kur lavazhet në rrugët kryesore të Tiranës, apo në të gjithë vendin po bëjnë ligjin duke shpërdoruar ujin e pijshëm dhe shkatërruar rrugët.

Më keq akoma ndihemi kur vëmë re se po e bunkerizojnë Shqipërinë me bunkerë gjigantë në kohë, duke lejuar ndërtimin e pallateve të mëdha që ngjajnë si burgje të reja civile apo kampe të rinj përqendrimi për shqiptarët. Trishtohemi kur shohim se u dogjën pyjet dhe u shkatërrua flora dhe fauna në përgjithësi. Kush nga autoritetet shtetërore e ka pyetur ndonjëherë veten se ç‘po ndodh me malin e Krujës që përditë po e gërryejnë aq sa rrezikon të shembin edhe Kalanë e Skënderbeut për ta bërë çakull dhe gëlqere. Nuk e kuptoj aspak indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Mjedisit dhe strukturave të saj përkatëse.

E gjithë sa shkrova më sipër do të thotë se Shqipëria është një shtet ku ligji dhe institucionet shtetërore thuajse kanë qenë dhe janë inekzistente. Jemi një vend anarkik tepër i sofistikuar, e kjo më shumë lidhet me karakterin tonë, unikal në llojin e vet në Evropë e më gjerë.

A ka një përgjigje për atë që po ndodh në ditët që jetojmë sot, kur pothuajse të gjithë po nxitojmë "të rrisim të ardhurat", e kjo na shkakton pak marramendje që e ka një çmim, pasi një ditë ne, pse jo dhe ata që vendosin për ne, do ta paguajmë, ndaj është e rëndësishme që përgjigjet mos të jenë përsëri ato që na janë dhënë përgjumshëm. Mendoj se që të mos vazhdojmë ta pësojmë nga indiferenca duhet të organizohemi për të shprehur me metoda demokratike pakënaqësinë tonë. Si mund të heshtin banorët e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Shkodrës, Durrësit etj., që gëlltisin rreth 65-85 kg pluhur në një vit?! Është konstatuar se dikur, para viteve ‘90, shqiptarët kishin me racion produktet ushqimore, e për të marrë ato rropateshin radhëve, ndërsa sot ata kanë përsëri racione të kufizuara të ajrit të pastër.

Jemi të ndotur nga pluhuri i ndërtimeve dhe tymi i automjetet që lëvizin çdo ditë.

Ambientit tanimë iu bënë barrë edhe ndotjet nga kërpudha e Gërdecit, e cila do ta japë impaktin negativ në shëndetin e banorëve aty pranë.

Megjithatë, askush nuk e di me saktësi se sa "të pisë" jemi, pasi ende nuk ka një studim të saktë shkencor, të specializuar, pasi këto parametra mund të jenë dyfish më të larta. Nuk ka se si të mos arrish në këtë përfundim, pasi fakt është se vdekshmëria vetëm në Tiranë është rritur me 30 për qind.

Pra semaforët e ambientit kanë ndezur të kuqen dhe është e pafalshme që hallkat shtetërore të mos veprojnë.

Të kërkosh llogari se pse jetojmë në një ambient kaq të ndotur, nuk bën krim, madje, kjo nuk është as kërkesë antiligjore dhe antikombëtare, por një detyrim dhe përgjegjësi njerëzore, morale, shoqërore, kolektive. Të ngresh zërin për një problem të tillë i shërben vetes, njerëzve me të cilët jeton, punon, krijon, kontribuon në mbrojtjen e shëndetit të tyre.

Kur jeton në ambient të pastër, ke krenarinë që të ftosh të vizitojnë shtëpinë tënde, qytetin tënd, bregdetin tënd, shtetin tënd.

Është e papranueshme sot që një pjesë e intelektualëve të shoqërisë sonë qëndrojnë "në hije" dhe heshtin për atë që ndodh në Shqipëri, sidomos e në veçanti me natyrën, ambientin. Një pjesë e tyre, pavarësisht nga aftësia profesionale, kanë emigruar jashtë vendit, të "detyruar" nga flakja në rrugë, dhe zëvendësimin me frymën e "Politikës se re, moderne e Bashkëkohore". Edhe ata pak intelektualë dhe aktivistë, të cilët janë në mbrojtje të mjedisit nga ndotjet, dhe parandalimin e shkatërrimit të natyrës shqiptare, mbrojtjen e bregdetit, mbrojtjen e Rivierës së Jonit etj., kanë qenë dhe janë nën presionin e politikës së ditës. Një pjesë tjetër janë aksionerë në dëmtimin, prishjen, degradimin, shkatërrimin, dhe pse jo shpërfytyrimin e Shqipërisë, që ajo mos të ketë vendin e saj që i takon në Evropë, duke u "shërbyer ndjenjave të epshit" të paparë antishqiptar të qarqeve sllavo-greke dhe të sllavo-serbe, që me çdo kusht të pengojnë zhvillimin e Shqipërisë. Ka edhe nga ata intelektualë që sot janë në poste drejtuese të institucioneve shtetërore të vendit, pasi braktisën profesionet e tyre të fushave të ndryshme për të veshur kostumin e "politikës së madhe", që nëpërmjet saj të mbrojnë dhe të sigurojnë pushtin politiko-ekonomik të koordinuar dhe harmonizuar me ngjyrat e kartonëve politikë "majtisto-djathtisto-centrik". Disa prej tyre kanë një etje të llahtarshme për të ndenjur në karrigen e deputetit me çdo kusht, pra duan ta mbajnë atë karrige përjetësisht, pavarësisht nga mosha që kanë, ndaj dhe pjesa më e madhe e tyre ngjajnë si "pula që ka ra squkë dhe pret të nxjerrë zogj kur poshtë saj i mungojnë vezët", dhe kur u del gjumi ndonjëherë "kakarisin" nëpër sallën e Parlamentit pa e ditur përse janë atje dhe ç‘duhet të bëjnë.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe faktin se një pjesë e intelektualëve, që kanë braktisur profesionet e tyre ose profesioni i kanë braktisur ata, në një formë ose tjetër janë përshtatur me mimikën e tyre të ndikimit mediatik, sidomos të medias vizive. Ata me "erashkën" e tyre të tipit, editorialistë, analistë, opinionistë etj., sillen rreth e rrotull tavolinës së pushtetit politik, herë në të majtë e herë në të djathtë për të përfituar ndonjë "pjatë" për vete dhe të vazhdojnë misionin e freskisë së radhës, për tavolinën e radhës.

Të jesh parlamentar, do të thotë të kesh konceptin e detyrimit dhe privilegjit ligjor, moral, shoqëror, e kombëtar, që të ushtrosh "forcën dhe trysninë" që të jep dhe garanton Kushtetuta e vendit tënd. Edhe pse e kanë këtë "forcë" në dorë, nuk e ushtrojnë atë "trysni sizmologjike" për të qenë vetvetja. Arsyeja pse nuk e bëjnë këtë është fare e thjeshtë, sepse një pjesë e konsiderueshme nuk dinë gjë tjetër veçse të marrin rrogën dhe në momente të caktuara të zhurmojnë e të gurgullojnë në Kuvend, gurgullimë kjo që ngjan me një "vorbull groshe" kur po i mbaron uji. Një pjesë tjetër, me zhdërvjelltësinë dhe dinakërinë e tyre heshtin dhe fshihen pas karrigeve të kolegëve të tyre që kanë para, dhe në momente të caktuara të "ulërijnë" e "gumëzhijnë" si një koshere me bletë meshkuj dhe në një moment "Mbretëresha" ua mbyll derën e i lë përjashta. Të tjerë kapardisen në momente jo të përshtatshme për veten e tyre dhe luajnë rolin e gjinkallës bajate dhe të bezdisshme. Disa plotësojnë moshën për pension, dhe na thonë "ku jemi parë o popull se pensionin e sigurova".

Është e pafalshme për ata parlamentarë, qofshin të majtë apo të djathtë, që ndoshta një herë iu dha mundësia në periudhën 10-vjeçare të funksionimit të Kushtetutës të ngrenë kartonin jeshil pa u menduar mirë për pasojat që mund të kemi në të ardhmen. Pikërisht për të treguar forcën, dinjitetin, rolin, dhe integritetin parlamentar, për të firmosur iniciativën për referendum popullor për ndryshimet në Kushtetutë, të ofruar nga zoti Ilir Meta si një nismë parimore, për një miratim nga populli, ata u treguan frikacakë dhe të paaftë dhe pse jo "burracakë".

Ndoshta nuk mundeshin ta bënin këtë se dikush mund të ishte aksioner në ndërtimin e pallatit të radhës, apo dhe të ketë ndonjë dosje të harruar dhe të pluhurosur nëpër raftet apo qoshet e institucioneve përkatëse, dhe ka frikë se mos ndokush mund të kujtohet dhe shkund pluhurin pa dashje, e pastaj i hap probleme.

Pra kur ekziston kjo indiferencë, papërgjegjshmëri, mospërfillje për atë që ndodh në Shqipëri, sidomos në lidhje me mjedisin, ambientin, dhe natyrën, atëherë shoqëria duhet të dijë të reagojë në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe në vendin e duhur.

Që mos të kujtohemi për reagimin e radhës vetëm atëherë kur e keqja na ka zënë derën, si në rastin e "kërpudhës Gërdeci", ku mbi rrënojat e shtëpive të banorëve fatkeqë atje, në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët fillojnë të bëjnë gjinkallat inatçore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›