"Rebelet" që po ndryshojnë Afganistanin
Ato mund të jenë goditur me gurë, kërcënuar, përdhunuar dhe përçmuar, por kur 200 gra nisën protestën e parë që prej vitit 1970, për të drejtat e tyre në Afganistan, zërat e tyre filluan të dëgjoheshin anekënd botës. Nëse traditat e vjetra më shumë se njëshekullore do të ndryshojnë, merita për këtë i takon edhe një gruaje shtatvogël, por guximtare, 28-vjeçares Diana Saqeb. Njëra nga organizatoret e protestës, që u zhvillua dy javë më parë në kryeqytetin e vendit Kabul, zonjusha Saqeb, ishte e pranishme edhe këtë javë kur President Hamid Karzai u premtoi aktivisteve se do të bëheshin ndryshime në ligjin që i dedikohet pakicës shiite, gjë që nxiti edhe protestën e tyre. Presidenti Karzai tha se legjislacioni do të ndryshohej, por me siguri që nuk e dinte se ligji që ai po firmoste legalizonte dhunimin bashkëshortor dhe një sërë frenimesh për gratë, pasi këshilltarët e tij nuk e kishin informuar për përmbajtjen. Ky jo vetëm që i mundëson burrit/mashkullit të jetë i plotfuqishëm dhe arbitrar ndaj trupit të femrës, por edhe kufizon shumë të drejta të saj. Aty thuhet se burrat kanë të drejtë t‘ua ndalojnë grave çdo punësim të panevojshëm - një formulim që burri mund ta interpretojë si të dojë. Me ton pothuaj të njëjtë janë formuluar edhe nene të tjera të ligjit. Për shembull, gratë e pakicës shiite në Afganistan duhet të kërkojnë leje nga burri për të dalë nga shtëpia. Gruaja mund ta braktisë shtëpinë pa pëlqimin e burrit vetëm për arsye mjekësore apo juridike", nënvizohet në ligj. Po ashtu, ligji parasheh zbritjen e moshës së martesës prej 18 në 16 vjeç. Thuhet se një ligj i njëjtë po përgatitet edhe për shumicën sunite në Afganistan. E ulur në shtëpinë e saj në Kabul, ku muret janë të mbushura me postera aktorësh filmash të njohur dhe përkthime të Dostojevskit, Virxhia Ulf dhe Mishel Foucault, Zonja Saqeb, nuk dëshiron t‘i besojë. "Ky justifikim është më i keq se krimet aktuale", thotë ajo. "Nuk është i pranueshëm për shumë gra të pranishme në protestë që Presidenti i vendit të firmosë një ligj që lidhet drejtpërdrejt me jetën e njerëzve pa e lexuar më parë". Saqeb më pas vazhdon të tregojë se Presidenti Karzai duhej të ishte më i përgjegjshëm në një shoqëri ku Kombet e Bashkuara pohojnë se "gratë janë viktima të diskriminimit dhe dhunës" dhe ku koncepti i të drejtave njerëzore nuk do të thotë asnjë për shumë gra afgane. "Shoqëria ku ne jetojmë është e mbushur plot kërcënime. Njerëzit gjithmonë fshehin ide, besime. Domethënë është një lloj stresi dhe frike e vazhdueshme më shumë mendore se fizike", vazhdon më tej gruaja 28-vjeçare. Megjithatë, manifestueset u kthyen pas nga vrulli që shkaktuan. "Ne nuk e prisnim reagimin e tyre agresiv. Donim që kjo e jona të ishte një protestë e heshtur, por më vonë na gjuajtën me gurë, duke thënë gjëra të tmerrshme për gratë, duke kërkuar të sulmonin fizikisht gratë. Nuk kisha frikë, por isha e shokuar". Sipas saj, shumë gra nuk morën pjesë në protestë, pasi u sulmuan dhe kërcënuan, ndërsa kërkonin që t‘i afroheshin zonës ku zhvillohej protesta. "Kemi folur me shumë gra në pjesë të ndryshme të qytetit. Të gjitha ato që morën pjesë kanë hasur shumë vështirësi në jetën e tyre të përditshme. Ato ishin gra nga të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha profesionet". Diana tregon se që nga momenti i protestës ka marrë mesazhe kërcënuese, madje kanë qarkulluar zëra se ajo nuk ishte myslimane, duke e u bazuar tek emri i saj që tingëllonte si i huaj. Në qendër të kësaj lëvizjeve janë edhe disa aktivistë, përfshi një numër të caktuar grash të reja parlamentare, si Sabrina Saqeb, motra e Dianës. Në pjesën më të madhe të rasteve gratë ua detyrojnë postet e tyre politike një sistemi, të përfshirë në Kushtetutën afgane - nga frika e konservatorëve - që rezervon 25 për qind të Parlamentit për gratë. Afganistani sot është një botë e larg fëmijërisë së Dianës, e lindur në një nga të paktat familje të vjetra liberale të Kabulit që u rikthyen në qytet në vitin 2001. Pjesën më të madhe të edukimit të saj e kreu si refugjate në Iran, ku gjeti në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Teheranit një liri mendimesh të ndryshme nga ajo e shtëpisë së saj. Sot ajo është një regjisore shumë e zonja filmash. Rreziqet që ekzistojnë për të sulmuar "status quo"-në janë shumë të qarta. Një numër i madh grash që mbajnë poste publike, janë vrarë në dy vitet e fundit nga militantët talebanë, influenca e të cilëve është shumë e madhe në zonat periferike të kryeqytetit. Megjithatë, regjisorja e re pranon se nuk ka frikë. Në brezin e ri të grave aktiviste bën pjesë edhe Hamida, një vajzë 18-vjeçare. "Besoj se që nga dita e protestës, gjithmonë e më shumë vajza të shkollës sonë janë kundër këtij ligji. Madje, ai është bërë subjekti i preferuar nëpër diskutimet e vajzave. Mendoj se të drejtat janë diçka për të cilat duhet luftuar gjithmonë. Nëse qëndron këmbëkryq askush nuk mund të vijë t‘i sjellë". Në fund, Diana Saqeb, një prej guximtareve të Afganistanit ka thënë se fushata për të ndryshuar legjislacionin mbi familjen shiite sapo ka nisur: "Ne po përballemi me njerëz që nuk guxojnë të dyshojnë mbi ato që ata kanë thënë".