E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, neutralizohet kamikazi vetëm një çast para shpërthimit

Terroristët në Irak përdorin për misionet vetëvrasëse gra, adoleshentë, madje edhe fëmijë. Një prej tyre u neutralizua dje, vetëm një çast përpara se të arrinte të aktivizonte mekanizmin shpërthyes të brezit me eksploziv që mbante me vete. Momenti dramatik u dokumentua nga fotot e bëra nga të pranishmit në vendin ku thuajse nuk ndodhi një tragjedi, të cilat u publikuan në sitin "Nahrain.com". Në bazë të rindërtimit të rrjedhës së ngjarjeve - është me vend të vërehet se mungojnë konfirmimet zyrtare - mësohet se atentatori 16-vjeçar u afrua në një vend të shenjtë në Kirkuk, të përdorur nga besimtarët shiitë për t‘u lutur, dhe ka qëlluar rojën që qëndronte në hyrjen e tij. Më pas, duke shfrytëzuar rrëmujën e shkaktuar nga e shtëna, është përpjekur të hyjë në brendësi të vendit të shenjtë për të shpërthyer sasinë e eksplozivit teksa gjendej në mes të besimtarëve. Por rojet e tjera nuk e kanë lejuar dhe kanë arritur ta ndalin në kohë, për t‘i marrë më pas një brez të mbushur me sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese. Sipas dëshmive të disa prej të pranishmëve në vendngjarje, adoleshenti dukej i droguar, apo nën efektin e qetësuesve të fortë. Një veçori kjo që është mësuar edhe prej dëshmive të rekrutuesve të kamikazëve, të cilët kanë pranuar se këta të rinj drogohen përpara se të kryejnë misionet vetëvrasëse.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, anëtarët e Al Kaedës dhe grupe të tjera pranë saj kanë kryer një seri të gjatë sulmesh me bilance të rënda viktimash. Goditje të kryera përmes atentateve vetëvrasëse - disa prej tyre të kryera nga gra - dhe përmes disa autobombave. Përveç brezave të mbushur me lëndë shpërthyese, tashmë të kthyer në armë tradicionale, militantët tani po përdorin çanta të mëdha të mbushura me eksploziv, të cilat aktivizohen përmes një granate. Objektivat kanë qenë në pjesën dërrmuese vende të frekuentuara nga mazhoranca shiite. Dhe asgjë e re nuk arrihet me këtë përfundim. Qëllimi i terroristëve është rindezja e konfliktit civil e religjioz. Në fakt, këto atentate duhet të zgjojnë reagimin me armë të shiitëve. Sipas burimeve amerikane, operacionet e këtij lloji koordinohen nga egjiptiani Abu Hamza Al Muxhaher.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›