Rebeli El Hamdaoui

Nëse mendoni se Carlos Tevez ishte i keq, nuk e keni dëgjuar ende historinë e ‘rebelit’ Mounir El Hamdaoui, i cili së fundmi u transferua në Ajax. Përfaqësuesi maroken bëri një fillim impresionues të karrierës në Amsterdam ArenA, por më pas u bë ‘persona non grata’ dhe u la të stërviste me ekipin e rezervistëve.
Kur afati kalimtar i janarit u hap, tashmë dihej se EL Hamdaoui do të largohej nga Amsterdami. Ai nuk kishte bërë asnjë paraqitje me ekipin e parë të klubit nga Eredivisie në sezonin 2011/12, kështu që marokeni e la kryeqytetin holandez, për të zbarkuar në Fiorentinë.
Ish-futbollisti i AZ Alkmaar menjëherë u bë ‘çështje’ edhe në Itali. Pas disa ditësh bisedimesh intensive, sulmuesi udhëtoi drejt Italisë për t’i kryer vizitat mjekësore dhe dukej se transferimi do të realizohej. Kishin mbetur vetëm edhe disa detaje të vogla në mes të të tri palëve dhe nuk kishte ende marrëveshje, derisa El Hamdaoui udhëtoi drejt Italisë sërish, në ditën e fundit të afatit të janarit.
Mirëpo, transferimi i ish-futbollistit të Tottenhamit te klubi Viola dështoi, pasi që Ajaxi kërkoi garanci bankare në kohën kur Fiorentina e kishte të pamundur ta bënte një gjë të tillë, pasi që afati kalimtar ishte duke u mbyllur, kështu që futbollisti me ose pa dashje u desh të kthehej prapa për në Amsterdam.
Gjithçka për 27-vjeçarin filloi në verën e vitit 2010, kur El Hamdaoui iu bashkua Ajaxit nga AZ , pas tre sezonesh të suksesshme në Alkmaar. Ai luajti mjaft mirë në debutim ndaj Groningenit, ndërsa më pas e ndihmoi ekipin bardhekuq në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ndaj Dynamo Kievit, duke realizuar gol.
Mirëpo, gjërat filluan të përkeqësoheshin kur trajneri Martin Jol u largua në dhjetor 2010. Trajneri aktual i Fulhamit u zëvendësua nga Frank de Boer dhe njëri prej aksioneve të para të tij ishte që ta linte në bankinë El Hamdaouin, për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Milanit, gjë e cila e ‘tërboi’ marokenin.
El Hamdaoui u ‘rebelua’ me t’u kthyer me ekipin në Amsterdam, duke vendosur që mos të stërviste, si rezultat i vendimit të trajnerit De Boer, për ta lënë jashtë njëmbëdhjetëshit të parë.
Ai mbeti jashtë disa javë, por befasisht u kthye në stërvitje gjatë dimrit të vitit të kaluar dhe u kthye në ndeshjen e ligës ndaj NAC. Dukej se raporti ndërmjet El Hamdaoui e De Boer tashmë ishte rregulluar dhe njerëzit u befasuan kur trajneri e la sërish në bankinë futbollistin, në mars 2011. De Boerit i humbi durimi vetëm një muaj pasi e kishte kthyer në ekipin e parë, kështu që marrëdhëniet në mes tyre u prishën për herë të dytë, pas vetëm gjashtë muajsh.
Përfaqësuesi maroken u dërgua sërish në ekipin e rezervistëve, njëjtë si situata ndërmjet Roberto Mancinit dhe Carlos Tevezit në Manchester City. Këtë radhë, nuk do të kishte rrugë, e cila do t’i pajtonte sërish palët. El Hamdaoui, jo që ishte futbollisti më i paguar i Ajaxit, me një rrogë vjetore prej 2,1 milionë euro, por edhe më i paguari i ligës.
Gjatë verës 2011, Ajaxi dëshironte ta shiste futbollistin e turbullt. Lille, Saint-Etienne, Trabzonspor, Sevilla, Espanyol, PSV, Blackburn Rovers e Udinese e pëlqenin futbollistin, por ai nuk deshi të largohej, pasi që asnjëri nga këto klube nuk ishte i gatshëm t’i përmbushte kërkesat e tij financiare.
Duke e parë situatën në klub, ai vendosi të lëvizte drejt Fiorentinës, duke reaguar ashpër ndaj sjelljes së Ajaxit, rreth transferimit të tij. Ai kishte shkuar aq larg sa që e kishte kërcënuar gjigantin holandez me padi, me arsyen se po ia shkatërronte karrierën.
E vetmja rrugë e suksesit është që ai të ndahet sa më shpejt me Ajaxin. Në Rusi nuk ka përfunduar ende afati kalimtar, por ai nuk e ka ndërmend të luajë në futbollin rus. Pasi dështoi transferimi në Fiorentinë, duket se El Hamdaoui duhet ta presë afatin kalimtar të verës, duke i dhënë fund dramës që e përshkoi në Ajax.