E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelohen metalurgët e Kurum, grevë pa afat pas sherrit në uzinë

Elbasan Drejtori i uzinës së çelikut rrahu të hënën një punëtor. Rikthehen edhe kërkesat ekonomike

Një përplasje fizike mes drejtuesit turk të uzinës së çelikut dhe një punëtori të kësaj uzine ka çuar në braktisjen e punës 200 metalurgë në Elbasan.

Ngjarja ka ndodhur të hënën dhe të gjithë punëtorët kanë denoncuar publikisht drejtorin e sektorit të derdhjes së çelikut pa ndërprerje, Mehmet Xhen, për dhunën e ushtruar ndaj punëtorit të kësaj kompanie, 54-vjeçarit Refik Hasalla. Metalurgu në fjalë është dhunuar fizikisht nga ky drejtues, pa pasur asnjë shkak.

“Unë isha duke punuar për riparimin e një defekti elektrik në furrën e ndezjes, kur erdhi drejtori, hoqi kapelen dhe më futi të dyja duart në fyt dhe nisi të më gjuante me grushte e shqelma pas asnjë shkak, ndërkohë që më parë po debatonte me disa bashkëkombës të tij, që punojnë në këtë uzinë”, tregon Refik Hasalla, metalurgu që u dhunua nga drejtori i uzinës.

Në të njëjtën kohë, grevistët, që kanë pezulluar punën deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre, kërkojnë largimin e drejtuesve të uzinës së çelikut, të cilët varen nga firma turke “Kurum”.
“Si mund të rri në punë një drejtues i tillë që dhunon punëtorët? Ne kërkojmë shkarkimin e të gjithë stafit drejtues të kësaj uzine”, tha Bajram Lilo, dëshmitar i ngjarjes ku u godit kolegu i tij.
Kërkesa e metalurgëve për largim të drejtuesve precizohet të paktën për tre persona të stafit drejtues të uzinës së çelikut, Mehmet Xhen, Sait Harman dhe Ylker Gumaidem, pasi, sipas metalurgëve, janë kthyer në dhunues sistematikë të punëtorëve shqiptarë.

Ndërkohë, 54-vjeçari i dhunuar ka depozituar edhe një padi penale ndaj dhunuesit turk Mehmet Xhen. “Ne jemi duke e analizuar si sindikatë ngjarjen e fundit në metalurgjik të Elbasanit dhe së bashku me incidentet e tjera, do të krijojmë dosjen denoncuese për të gjithë drejtuesit turq që shkelin të drejtat e punëtorëve apo kthehen në dhunues fizikë të tyre”, tha Taf Koleci, kryetar i Konfederatës së Industrisë Kimi-Metalurgji të Shqipërisë.

Para grevës së diktuar nga dhuna e drejtuesit turk ndaj punëtorit shqiptar, metalurgët në fjalë, para disa javësh kanë zhvilluar një protestë dyorëshe, ku kanë bërë prezente disa kërkesa si: rritja e pagës, marrja e dietës ushqimore sipas VKM-ve, përmirësimi i masave të sigurimit teknik në punë, sigurimi i veshjeve profesionale kundër nxehtësisë etj. Ankesë tjetër e ngritur nga metalurgët është ajo për largimet nga puna pa asnjë shkak dhe duke shkelur kontratën kolektive e në mënyrë selektive. Greva do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, deri sa kërkesat e punëtorëve të zgjidhen.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›