Gratë profesoresha, kuota të përafërta me burrat
Shqipëria ka arritur progres në fushën e hartimit të legjislacionit për barazinë gjinore dhe dhunës në familje, ngritjen e strukturave përgjegjëse si dhe janë marrë masa pozitive për përparimin e grave në fushat e punësimit, arsimimit, shëndetësisë. Të dhënat që e vërtetojnë këtë janë konfirmuar nga zv/ministrja e Punës dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra.
Numri dy i Dikasterit të Shanseve të Barabarta dha një informacion të detajuar rreth Raportimit të Shqipërisë në OKB për zbatimin e Konventës CEDAë. “Gjatë raportimit, delegacioni shqiptar i informoi ekspertët rreth progresit të bërë nga viti 2003 në 2009, në hartimin e legjislacionit të ri dhe specifik për barazinë gjinore dhe marrjen e masave të posaçme për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri”, sqaroi zv/ministrja Kodra. Ndër këto, zëvendësministrja e Punës renditi aplikimin e kuotës neutrale gjinore në masën 30% gjatë zgjedhjeve për Kuvendin, si dhe programet për nxitjen e punësimit të punëkërkueseve femra, aplikuar nga Ministria e Punës. Po ashtu mekanizmat “katalizatorë” janë marrë në programet e formimit profesional falas për gratë në nevojë, udhëzimet e Ministrisë së Arsimit për rritjen e përfaqësimit të grave në sistemin e menaxhimit dhe drejtimit në shkolla.
“Ne raportuam se në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, 21,4 për qind janë femra dhe gjithashtu kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë femra. Po ashtu, anëtare të Gjykatës së Lartë janë 42,8 për qind, anëtare të Gjykatës Kushtetuese 12,5 për qind; gjyqtare 32 për qind, ndërsa kryetare gjykatash 25%”, sqaroi Kodra. Sipas saj, të gjitha këto janë tregues së vëmendjes së treguar për rritjen e përfaqësimit të grave në të gjithë sektorët dhe nivelet.
Gjatë raportimit u kërkuan dhe u dhanë statistika lidhur me numrin e grave në sistemin arsimor. Kështu, delegacioni shqiptar informoi se në universitete, stafi akademik përbëhet nga 43,6% femra përkundrejt 56.4% meshkuj. Ndërsa gra me grada shkencore janë 38%. Të gjitha këto të dhëna janë të vitit 2008. Nga 10 rektorë, asnjë nuk është grua, zv/rektore nga 10, vetëm 3 janë gra ose e “përkthyer” ndryshe vetëm 23%. Në nivelin e dekanëve, gra janë 11 ose 27 për qind e kësaj kategorie.
Po ashtu, zv/ministrja e Punës bëri me dije edhe nismat që po ndërmerren për përmirësime ligjore, në barazinë gjinore, të cilat parashikojnë që viktimat e dhunës në familje, gjatë proceseve gjyqësore të trajtohen falas, si dhe penalizimin e fenomenit të dhunës në familje. Ekspertët e OKB shqyrtojnë raportin zyrtar për CEDAë si dhe një raport hije të prezantuar nga ekspertët e pavarur të shoqërisë civile të vendit që raporton. Pas përfundimit të raportimit, pritet që grupi i ekspertëve të OKB-së të prezantojë një raport rreth zbatimit të konventës nga vendet raportuese, si dhe rekomandimet përkatëse për marrjen e masave konkrete për realizimin e atyre detyrimeve që nuk janë përmbushur.
#