Jetullah Haliti, ekspozitë në Durrës
Punimet e reja të artistit kosovar, Jetullah Haliti – Eti, do të bëhen publike në një ekspozitë personale të piktorit, e cila do të çelet më 20 gusht në galerinë “Jozef” në Durrës. Krijimtaria e këtij piktori është cilësuar si një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Becketit dhe ky absurd është i thellë dhe në esencë ka një të vërtetë triumfuese. Qëllimi është zhytja në thellësi dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur me atë thellësi. Për publikun, bashkë me veprat e piktorit do të shpërfaqen edhe ngjyrat e tij të preferuara. E bardha, sepse aty gjen pastërtinë, sinqeritetin, pafajësinë, gëzimin, harenë. Pikërisht aty, Eti gjen shpirtin e tij. është aty edhe e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, ashtu sikundër edhe ngjyra e kaltër, e cila edhe pse ndonjëherë mund të duket e ftohtë është e thellë, e kthjellët, kufizuese e formave dhe një qiell pa kufi. Nuk do të mungojë në këtë ekspozitë edhe një cikël veprash, të titulluara “Ngrohja globale”, “Shkrirja e akullnajave” dhe “Trekëndëshi i Bermudës”. Ky cikël është një teatër avangard, që prek majat e absurdit. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejë si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e saj magjike.
Ndërkaq, te “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, ajo ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes. Shpirtin e artistit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë, “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.
Kjo ekspozitë organizohet nga Akademia e Arteve dhe instituti i arteve “Profondiste – Eti”, në bashkëpunim me galerinë “Jozef”.
#