E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelohet KOKSH-i: Ministria po bën veprime të jashtëligjshme

Edhe pse pati një takim midis palëve pak ditë më parë, konflikti MTKRS-KOKSH dhe Federatat vazhdon ende. Këtë e ka konfirmuar drejtuesi më i lartë i KOKSH-it, Hysen Domi, i cili, dje, në një konferencë për shtyp ka akuzuar ministrinë për veprime të paligjshme, duke denoncuar edhe shkeljet. Sipas tij: "Në kundërshtim me statutin, ministria ka krijuar një komision ‘ad hoc‘ të jashtëligjshëm për të monitoruar zgjedhjet, ndonëse në këtë komision ka figura të respektuara. Po ashtu, ministria duhet të tërheqë urdhrin për të zhvilluar zgjedhjet nëpër federatat e ndryshme deri në muajin dhjetor, edhe ky i jashtëligjshëm". Vetëm pak ditë më parë, ministri Ylli Pango do të premtonte se do të respektojë autonominë e federatave dhe se ata mund t‘i bëjnë zgjedhjet sipas statutit të tyre, pas asnjë ndërhyrje të shtetit. Kjo gjë nuk e zbuti konfliktin, pasi federatat nuk e miratojnë vendimin e MTKRS-së për një komision "ad-hoc", i cili mendohet të vëzhgojë zgjedhjet në secilën federatë. Presidenti i KOKSH-it kërkon reflektimin e MTKRS-së, pasi, edhe pse preferon një zgjidhje të brendshme (mes palëve), do të detyrohet të ankohet në organizatat ndërkombëtare sportive: "Ne duam të tregojmë se mund t‘i zgjidhim problemet tona brenda Shqipërisë, jo si në rastin e futbollit, sepse i humbur do të jetë vetëm sporti shqiptar, por nëse presionet do të vazhdojmë, do të jemi të detyruar të raportojmë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar". Domi theksoi se MTKRS nuk e ka firmosur statutin e KOKSH-it, ndonëse, sipas tij, janë ndërruar nëntë ministra dhe statuti është dërguar tetë herë atje. "Është e pashpjegueshme që statuti ende nuk është firmosur, ndërsa ministria vendos që të ndërrojë emrin nga KOKSH në Komitet Olimpik Shqiptar, në mënyrë të padrejtë, shtoi ai. Zgjedhjet në KOKSH janë caktuar më 6 dhjetor 2008 dhe ato do të zhvillohen edhe nëse ministria nuk e firmos statutin". Dy kandidatët për postin e presidentit janë Fidel Ylli, shefi i delegacionit olimpik dhe Esat Ademi, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›