E Diel, 1 Nëntor 2026

NJE KONTRATE E KOSOVES ME EVROPEN

1.

Kosova ka hyrë në pavarësi me shumë vështirësi strukturore, e para ndër të cilat ishte qartazi konteksti juridik i shpalljes së pavarësisë: pra, procesi negociator dhe mungesa e konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjë që solli një shpallje të pavarësisë, e cila u bë nën Rezolutën 1244, në mungesë të ndonjë bekimi tjetër konsensual të OKB-së.

Në kushtet kur Kosova hyri në pavarësi ‘de facto‘ e ndarë dhe pa legjitimitet të plotë ndërkombëtar, autoritetet e Beogradit, me përkrahje të fuqishme të Moskës, vunë në funksion disa iniciativa që kishin për qëllim moslejimin e konsolidimit të Kosovës si shtet të pavarur. Modeli i parë ishte ai i dhunës së kontrolluar (thyerja e ambasadave në Beograd, djegia e pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin Kosovë-Serbi, konfrontim në Veri të Mitrovicës) për të rikonfirmuar apo "ngrirë", pa konsekuenca të mëdha dhune, vijat e ndarjes në Kosovë.

Modeli i dytë është ai i pengimit të procesit të njohjeve ndërkombëtare të shtetit, apo i "ngrirjes" së legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kulmoi me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Modeli i tretë është ai që po zhvillohet këto ditë, ndonëse i përgatitur që më herët, që nëpërmjet të 6 pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të delegjitimohet procesi negociator ‘Ahtisari‘, të fillojë një proces i ri dhe rrjedhimisht që çështja e statusit të Kosovës të quhet e pa përmbyllur.

Përgjatë këtij viti, pushteti në Kosovë u tregua i papërgatitur për t‘u ballafaquar me këto sfida, që të gjitha lehtë të parashikueshme, dhe madje të parashikuara me kohë. Plani gjashtë- pikësh ishte hartuar nga negociatori serb, Samarxhiq, që në negociatat e Vjenës, u prezantua publikisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por Prishtina u alarmua vetëm kur opinioni publik u ballafaqua me një dokument 6-pikësh, tash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili është kontratë e re për Kosovën.

Ky fakt është me rëndësi, jo për ndonjë nevojë qortimi të pushtetit të tanishëm, por për të konstatuar dy fakte themeltare që janë të nevojshme për periudhën e ardhshme. I pari, ekziston një shpërputhje e jashtëzakonshme mes kapacitetit politik, iniciativës, energjisë dhe kreativitetit të përdorur nga Beogradi zyrtar dhe Prishtina zyrtare. Kjo shpërputhje ka krijuar gjendjen, ku Beogradi shënon avantazh në përpjekjen e vet për pengimin e funksionimit të shtetit të pavarur të Kosovës, e Prishtina është duke e vënë veten në pozitë mbrojtëse, bile edhe karshi përkrahësve të vet evropian. Fakti i dytë: gjendja e tanishme, me një qasje të re, mund të tejkalohet vetëm me rritjen e kapacitetit kreativ, energjisë dhe përcaktimit të Prishtinës.

2.

Gjashtë pikat e Ban Ki Moonit hynë në Kosovë me një pakujdesi të madhe të Prishtinës zyrtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 dhe nevojën e mëtejme të "rikonfigurimit" të UNMIK-ut, nëpërmjet të shtrirjes së EULEX-it, filloi një proces negociator mes Prishtinës dhe Beogradit. Gabimi është në interpretimin e rezolutës. Leximi regresiv i saj çon në një gjendje të para bombardimeve të vitit 1999, pra edhe para rezolutës, kur nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare Beogradi mbante apo synonte ta mbante sovranitetin mbi Kosovën. Rezoluta 1244, megjithatë, ka natyrë krejtësisht tjetër. Ajo, në thelb, suspendon sovranitetin e Beogradit, krijon një administratë kalimtare, që do të ndihmojë funksionimin e Kosovës dhe krijon mekanizmin për përcaktimin e statusit të Kosovës. Që të gjitha këto janë bërë gjatë nëntë viteve të kaluara, duke kulmuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si një akt i koordinuar ndërkombëtar.

Leximin që ia bënë Beogradi dhe i dërguari i Ban Ki Moonit rezolutës, se Beogradi ka sovranitet mbi Kosovën, (apo në këtë rast mbi pjesë të saj) iu bashkëngjit edhe Prishtina zyrtare, duke e pranuar ndërmjetësin dhe dokumentin e tij.

Tash, dokumenti prej 6 pikash është realitet. Për më tepër, ky është një realitet, ku është investuar edhe një pjesë e mundit evropian dhe është një realitet ku, sido që të ecet më tutje, ekziston rreziku i prekjes në ndonjë interes të Kosovës. Zyrtarë evropianë qenë të përfshirë në negociata me Beogradin për këto 6 pika; EULEX-i është misioni më ambicioz evropian në politikë të jashtme; EULEX-i, njëkohësisht është nevojë e Kosovës dhe kategori e Kushtetutës së saj.

Në kushtet e sotme, ekzistojnë dy forma trajtimi të 6-pikëshit. Njëri është marrja me përmbajtjen e tij, përpjekja për t‘i ndryshuar këto 6 pika në avantazh të Prishtinës. Këtë qasje e ka marrë Prishtina zyrtare, duke theksuar se "elementët substanciale" të dokumentit janë të papranueshme, që do të thotë se, nëse këto elemente substanciale përmirësohen, marrëveshja do të mund të ishte e pranueshme.

Kjo qasje nuk është e mençur, ngaqë sado të mund të bëhen ato të pranueshme, marrëveshja e njeh Beogradin si hisedar në sovranitetin e Kosovës.

Qasja tjetër, besoj, do të ishte më dobiprurëse. Kjo do të ishte që dokumenti 6 pikësh të trajtohet si një informatë për synimet e përbashkëta të Beogradit dhe një pjese të administratës së OKB-së, si ndihmë procesit të rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe zbarkimit të EULEX-it në Kosovë. Besoj që Prishtina do duhej adresuar Nju Jorkun me shpjegimin se, meqë Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, do të jetë e pamundur që Prishtina zyrtare të marrë pjesë, si e barabartë, për këtë apo atë formë të rikonfigurimit të OKB-së, andaj, e duke u thirr në rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në letrën e tij përcjellëse për Pakon e Ahtisarit, Prishtina zyrtare do të fillojë një format tjetër të bisedimeve për vendosjen e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, atë të marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së, për EULEX-in. Sekretariati i OKB-së, gjithashtu, duhet të njoftohet për organizimin e Ditës së Falënderimit për UNMIK-un, me të cilën populli i Kosovës, së bashku me të gjithë të dërguarit e veçantë të OKB-së në Kosovë, do të kremtojë fundin e këtij misioni.

3.

Formati për bisedime për EULEX-in është njëra prej çështjeve që ka mbetur krejtësisht pa vëmendje të Prishtinës zyrtare, ndonëse ka implikime politike dhe kushtetuese. Kosova, e kushtëzuar nga sponsorët ndërkombëtare të pavarësisë, e ka EULEX-in të futur në Kushtetutën e vet, e ka ftuar këtë prani evropiane në vendin e pavarur, por nuk është ulur të bisedojë me urdhërdhënësit e këtij misioni për atë se çfarë në fakt do të bëjë në Kosovë, çfarë do të jetë marrëdhënia mes këtij misioni dhe pushtetit sovran të Prishtinës.

Kjo duhet bërë, në një formë që definon partneritetin e ri mes Kosovës dhe BE-së, gjegjësisht misionit të tij. Dhe për këtë, nevojiten qartësime për këto fusha:

a) si do të vendoset bashkërisht regjimin kufitar, në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit;

b) si do të vendoset sistemi doganor i Kosovës, me prani të përbashkët fillimisht, në pikat 1 dhe 31;

c) çfarë do të jetë marrëdhënia me pushtetin vendor në zonat që ende nuk e njohin sovranitetin e Prishtinës;

d) çfarë do të jetë procesi i ndërtimit të sistemit unik juridik në vend;

e) çfarë do të jetë afati i revidimit të nevojës për qëndrim të mëtejmë të misionit në Kosovë.

Dhe, këtë bisedë me BE-në do zhvilluar në të dyja levat e politikës së saj të jashtme, atë të sigurisë dhe atë të zgjerimit, sepse prej që të dyjave do varet thellësisht jo vetëm zhvillimi i shtetësisë së Kosovës, por edhe perspektiva e tërë regjionit.

4.

A do ta zgjidh kjo qasje problemin me Beogradin?

Jo. Do pranuar se tashmë Kosova gjendet në një fazë të krizës në rrumbullakësimin e shtetësisë së saj, dhe nëntë muajt e pavarësisë treguan dobësitë, që u shfrytëzuan nga Beogradi. Gjatë vitit të ardhshëm, roli evropian do të jetë shumë më i intensifikuar në regjion, duke pasur parasysh ambicien e Beogradit, të përkrahur nga shtete të rëndësishme të BE-së, për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, viti i ardhshëm paraqet një mundësi, sado të vogël, për vendosjen e një tryeze evropiane (me praninë e domosdoshme amerikane), ku do të ftoheshin Beogradi dhe Prishtina për të zgjidhur një pyetje fondamentale që paraqet ndryshimin historik në marrëdhëniet e ndërsjella: çfarë do të jetë forma me të cilën Serbia dhe Kosova do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në integrime euroatlantike, në vend të gjendjes së tanishme, të penguarit të ndërsjellë.

Autoritetet kosovare, së bashku me opozitën, kanë nevojë për një ndryshim shumë të shpejtë në qasjen ndaj sfidave të jashtme e të brendshme të shtetësisë. E tërë kjo ngjarje me gjashtë pika dëshmoi, mes tjerash, se pavarësia nuk është ceremoni festive, me të cilën paralizohet jeta. Ajo, për nëntë muaj në arenën ndërkombëtare, ka lëvizur. Autoritetet e Kosovës jo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›